Shpallet i pafajshëm ish-ministri Ferid Agani
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur sot të pafajshëm ish-ministrin e Shëndetësisë Ferid Agani dhe ish-sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani, raporton kallxo.com
Aktakuza e Prokurorisë e ngritur në qershor të vitit 2016 e ngarkonte ish-ministrin e Shëndetësisë Ferid Agani, ish-sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani dhe 62 persona të tjerë për disa vepra penale; “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrja e ryshfetit”, “dhënia e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe për veprën “shmangia nga tatimi”.
Në seancën e fundit, më 29 gusht 2022, Prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Florje Shamolli – Salihu ka ndryshuar dispozitivin e aktakuzës, duke hequr pjesë se të akuzuarit ‘nuk kanë vepruar në përputhje me ligjin për prokurimin publik’ pasi që sipas saj, një ekspertizë e prokurimit thotë se subvencionet nuk i nënshtrohet ligjit të Prokurimit Publik, dhe po ashtu ka modifikuar shumën e dëmit të pretenduar nga 4,555,55.00 euro në vetëm mbi 11 mijë euro, duke u thirrur në një ekspertizë financiare.
Të akuzuarit janë deklaruar se nuk e pranojnë fajësinë përgjatë të gjitha fazave të procesit gjyqësor.
Mbi këto akuza Agani dhe Shabani ishin dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës në prill të vitit 2019.
Agani ishte dënuar nga Gjykata Themelore me dy vjet e gjysmë burg ndërsa Shabani me 2 vjet burg.

