Shpërthen një fabrikë fishekzjarresh në Turqi, mbi 40 të plagosur (VIDEO)

Në Turqi ka shpërthyer një fabrikë fishekzjarresh, ku janë plagosur të paktën 41 njerëz, sipas raportimeve të para nga mediat e atjeshme.

Mësohet se në momentin e shpërthimit kishte rreth 150 punëtorë në fabrikën e cila gjendej jashtë qytetit të Hendek, në provincën Sakarya.

Të paktën 41 prej tyre u shtruan në spital me lëndime, ndërsa ende nuk raportohet për viktima.

Disa zjarrfikës dhe ambulanca u dërguan në fabrikë, e cila është larg zonave të banuara.

Sidoqoftë, shpërthimet ishin duke vazhduar, duke penguar përpjekjet e zjarrfikësve për të shuar zjarrin.

Shkaku i shpërthimit s’bëhet ende i ditur.

Televizioni HaberTurk tha se autoritetet bllokuan rrugët që çojnë në fabrikë.