Shqipëria po dështon me COVID-19, të infektuarit kërkojnë shpëtim në Greqi e Kosovë

Rritja me shpejtësi e shifrave të infeksionit përgjatë javëve të fundit ka rezultuar me mbingarkesë të spitaleve në Shqipëri. Ministria e Shëndetësisë njoftoi kalimin në skenarin A, duke përfshirë edhe 5 spitale rajonale, që po ashtu do të kenë pavijone të posaçme për trajtimin e pacientëve.

Edhe pse nga të dhënat zyrtare numri i pacientëve të shtruar është raportuar 594 pacientë, në realitet shifrat e pacientëve të shtruar janë disa herë më të larta. Prej muajsh përballë me këtë sëmundje janë vënë edhe spitalet private, por ato nuk janë pjesë e raportimeve ditore. Nga ana tjetër, një numër jo i paktë pacientësh zgjedhin t’ua besojnë jetën spitaleve në rajon.

Një ditë më parë, BIRN shkroi se dhjetëra pacientë të infektuar me COVID-19 nga bashkitë veriore të Hasit, Kukësit dhe Tropojës janë kuruar me sukses në spitalet kosovare të Prizrenit dhe Gjakovës, pasi refuzuan të shtroheshin në Tiranë.

Me pacientë shqiptarë janë mbushur edhe spitalet në Janinë. Mediat greke ngritën dje shqetësimin e autoriteteve shëndetësore, sipas të cilëve “50% e pacientëve në spitalet kundër Covid-19 janë të ardhur nga Shqipëria, ndërsa pacientët në reanimacion dhe intubim janë të gjithë shqiptarë”.

Të enjten janë raportuar 17 humbje jete, ndërkohë që prej fillimit të pandemisë, numri i personave që ka ndërruar jetë si pasojë e kësaj sëmundje ka shkuar në 1617.

Ka pasur dyshime se numri i viktimave si pasojë e COVID-19 ka qenë disa herë më i lartë. “Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 17 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID19”, ka bërë me dije Ministria.

Të larta kanë qenë edhe shifrat ditore të personave të konfirmuar pozitë. Dje janë raportuar 1112 raste të reja. Peshën kryesore vijon ta mbajë Tirana, ndërkohë që ka pasur një numër të konsiderueshëm rastesh edhe në Kavajë dhe Durrës.

“Në 24 orët e fundit janë kryer 3935 testime dhe kanë rezultuar pozitivë 1112 qytetarë”, thuhet në njoftim.