Shqipja e Rexhep Selimit nuk e voton Donika Gërvallen për kryetare të Kuvendit

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi-Mehmeti, nuk ka votuar sot Donika Gërvallën për kryetare të Kuvendit të Kosovës, raporton Sinjali.

Selimi, e cila është bashkëshortja e Rexhep Selimit, nuk mori fare pjesë në votim, ndërsa pamjet nga seanca tregojnë që ajo nuk i ka shikuar kolegët e saj gjatë procesit.

Edhe pse arsyet nuk dihen, por me postime të së kaluarës Gërvalla akuzonte ashpër Rexhep Selimin. Madje, e quante figurë të botës së krimit.

“Sa gërditshëm me pa pikërisht Rexhep Selimin duke folur për shtetin e së drejtës. Fakti më i shëmtuar që as LVV nuk ka arritur të çlirohet tërësisht nga figurat e saj të diskredituara të botës së krimit”, shkruante Gërvalla.

Në vitin 2019, pas votimit të Qeverisë Kurti I, Gërvalla shkroi: “Nëse mund t’ju besohet informacioneve të mediumeve të ndryshme, Rexhep Selimi qenka propozuar si kryetar i Grupit Parlamentar të VV-së. Ky do të ishte një sinjal shumë i shëmtuar, jo vetëm për faktin që Rexhep Selimi është një prej të dyshuarve të Hagës.”