Shqiptarët e Luginës vazhdojnë të trajtohen si qytetarë të rendit të dytë edhe 29 vjet pas Referendumit

Para 29 vitesh, shqiptarët në Luginën e Preshevës organizuan referendumin për autonomi territoriale dhe politike, me të drejtë bashkimi me Kosovën.

“As sot, 29 vite më vonë pozita e shqiptarëve në Luginë, sa i përket të drejtave politike, nuk ka ndryshuar asgjë”, thotë Shqip Kamberi, deputet në Parlamentin e Serbisë.

“Sot u bënë 29 vjet nga nga Referendumi i 1 dhe 2 Marsit të vitit 1992, kur shqiptarët e Luginës së Preshevës u shprehën pothuajse në mënyrë unanime, për autonomi territoriale politike të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë me të drejtë bashkimi me Kosovën.

Kjo ngjarje dhe ky vullnet politik është rilegjitimuar vazhdimisht nga politikat përjashtuese, shtypëse dhe diskriminuese të pushteteve respektive në Beograd.

Më 1 dhe 2 mars 2021, shqiptarët e Luginës së Preshevës qeverisen nga ish-bashkëpunëtorët më të afërt të Sllobodan Millosheviqit dhe Vojisllav Sheshelit.

29 vjet pas Referendumit, shqiptarët e Luginës së Preshevës vazhdojnë të tajtohen si shtetas të dorës së dytë dhe të padëshiruar të Serbisë.

Respekt dhe mirënjohje për organizatorët dhe qytetarët e guximshëm të 1 dhe 2 marsit 1992”, ka shkruar Kamberi.