Shqiptarët në Luginë përçahen para zgjedhjeve parlamentare në Serbi
Partia “Alternativa për Ndryshim” e Preshevës ka reaguar në lidhje me lajmin e publikuar nga Partia për Veprim Demokratik, rreth krijimit të listës “Koalicioni i shqiptarëve të Luginës” në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, të cilën e kanë formuar PVD, PD dhe LPD.
“Ky akt vulgar politik i cili ka shkelur Marrëveshjen e Tiranës të vitit 2020, për krijimin e Listës së Përbashkët Shqiptare në zgjedhjet parlamentare në Serbi, të mbështetur zyrtarisht nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë, gjegjësisht nga ish-ministri për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë” thuhet në postimin e APN-së, mes tjerash.
APN përmes këtij reagimi konsideron se “Koalicioni i shqiptarëve të Luginës” është themeluar nga PVD duke shantazhuar partnerët e koalicionit udhëheqës me komunën e Bujanocit.
“ALTERNATIVA konsideron se lista “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës” e iniciuar nga Partia për Veprim Demokratik, duke shantazhuar partnerët e tij në pushtetin lokal në Bujanoc për pjesëmarrje të dhunshme në këtë listë dhe duke i shkelur në mënyrë flagrante parimet dhe marrëveshjen e lartpërmendur, pasqyron qartë qasjen tendencioze të kryetarit të PVD-së dhe agjendës së tij ekonomiko-politike mbi unitetin kombëtar shqiptar” vazhdon reagimi i APN-së në facebook.
APN përmes këtij reagimi gjithashtu njofton se po diskutojnë me Lëvizjen për Reforma rreth krijimit të një liste të re për të pjesmarrë në zgjedhjet parlamentare në Serbi, të cilat priten të mbahen më 3 prill të këtij viti.

