Shqiptarët në Mal të Zi shpallin bashkimin politik: Tre subjekte shkrihen në një parti të vetme

Një kthesë e rëndësishme ka ndodhur në skenën politike të shqiptarëve në Mal të Zi.

Këtë të shtunë, në sallën e Këshillit Komunal të Tuzit, është shpallur zyrtarisht shkrirja dhe bashkimi i tre subjekteve politike në një strukturë të vetme nën emrin “Forumi Shqiptar”.

Ky hap cilësohet si një kapitull i ri dhe një garanci afatgjatë për unitetin e faktorit shqiptar.

Në prezantimin e këtij projekti madhor ishin të pranishëm zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, së bashku me aleatët e tij politikë.

Sipas udhëheqësve të lëvizjes, ky bashkim ishte një “borxh ndaj brezave të ardhshëm”, duke kaluar nga formula e suksesshme e koalicioneve të deritanishme në një forcë të vetme dhe unike.

Zëvendëskryeministri Gjeloshaj theksoi se suksesi i treguar deri tani në qeverisje do të rritet akoma më shumë përmes këtij unifikimi, pasi Forumi Shqiptar tashmë mbetet adresa kryesore dhe e vetme që përfaqëson shqiptarët në të gjitha komunat ku ata banojnë.