Shqiptari i larguar nga puna shpallet ‘shkencëtar i vitit’ në Maqedoni
Një rast interesant ka ndodhur këto ditë në Gostivar. Kimet Jusufi, një fizikant nga ky qytet sot u shpall “shkencëtar i vitit” nga ana e Presidentit të vendit, Stevo Pendarovski. Deri këtu duket normale. Por edhe pse i suksesshëm prej vitesh në fushën e tij, para dy viteve, shkencëtarit Jusufi i ndodhi diçka e çuditshme dhe shumë serioze.
E larguan nga puna. Arsyet thuhet se janë politike. Atëkohë i punësuar në një shkollë të mesme në Gostivar, Komunës së Gostivarit iu morën kompetencat në fushën e arsimit dhe si rezultat Ministri i Arsimit, Arbër Ademi ose më saktë drejtori i caktuar nga ai, i ka dhënë Kimet Jusufit vendim pët shkarkim nga puna. Kjo ka ndodhur pikërisht në Ditën e Alfabetit, siç njoftoi atëkohë Jusufi, përcjell in7.
Pra, një profesionist në fushën e fizikës me mbi 50 punime shkencore mbetet pa punë për shkaqe politike. I pari i Gostivarit i kishte ofruar vend pune në administratën lokale, por Jusufi kishte refuzuar, pasi ai ka dashur që të japë kontribut në drejtimin e tij.
Sidoqoftë, Kimet Jusufi nuk u dorëzua dhe sot në vitin 2020 shpallet “shkencëtar i vitit” nga Presidenti i Maqedonisë së Veriut. Një arritje shumë e madhe dhe vlerësim i lartë për një shkencëtar si Jusufi.
Lajmi për çmimin e marrë nga presidenti sot po bën xhiron në rrjetet sociale, me komentet e shumta se për arsye të kapriçove politike, shumë talente humbin dhe detyrohen të largohen nga vendi.
Kimet Jusufin e ka uruar edhe Arben Taravari, i cili mes tjerash theksoi se Gostivari krenohet me sukseset e Kimetit.
“Mburrje për gjithë qytetin e në veçanti për gjimnazin e Gostivarit që pati nderin të ketë shkencëtarin dhe mësimdhënësin Kimet Jusufi në këtë institucion, i cili dha kontribut të jashtëzakonshēm në edukimin dhe arsimimin e nxënësve”, ka shkruar mes tjerash Taravari.
Në kohën kur e nxorrën nga puna, Kimet Jusufi shkruante se “këtu mund të japësh kontribut shkencor pafund, por nëse të mungon libreza partiake, me gjasë përfundon në rrugë”.