Shqiptari vret veten në “burgun lundrues” të Britanisë së Madhe

Një javë më parë opinioni publik në Britaninë e Madhe u trondit pas raportimeve se një azilkërkues ndërroi jetë në bordin e strukturës lundruese “Bibby Stockholm”, që është ankoruar në Portland dhe po përdoret nga Home office për të strehuar azilkërkuesit që ka mbërritur me gomone përmes Kanalit Anglez.

Këtë të hënë e përditshmja britanike “The Telegraph” ka zbuluar identitetin e personit që ka vdekur, duke bërë me dije se bëhet fjalë për 27-vjeçarin nga Durrësi, Leonard Farruku.

I riu shqiptar dyshohet se ka kryer vetëvrasje brenda anijes së shndërruar në kamp emigrantësh, pasi më parë i kishte shprehur motrës së tij shqetësimin se po trajtoheshin si kafshë.

Telegraph sqaron se familja ka identifikuar 27-vjeçarin si personi që dyshohet se kreu vetëvrasje në Bibby Stockholm.

Një javë para vdekjes ai ishte ankuar për shëndetin e tij mendor ndërsa një ditë para se të kryente aktin e rëndë, sipas emigrantëve të tjerë ishte dëgjuar duke bërtitur dhe përplasur kokën në kabinën e tij.

Farruku ka shfaqur ende shenja jete në momentin kur azilkërkuesi me të cilin ndante kabinën informoi zyrtarët që punojnë në “Bibby Stockholm”.

Motra e tij Jola Dushku, e cila jeton në Lombardi të Italisë a folur për “the Telegraph” duke thënë është e tronditur nga lajmi, të cilin sipas saj e kanë marrë vesh nga të afërmit në Mbretërinë e Bashkuar, që janë kontaktuar nga policia në kuadër të hetimeve për vdekjen e të riut.

Gazetarët kanë arritur të zbulojnë se Farruku, i lindur në fshatin Manëz, pranë qytetit të Durrësit,  kishte paguar 4,000 euro për të kaluar “La Manshin” me gomone gushtin e kaluar.

Motra e tij tha se ai kreu kalimin e rrezikshëm të Kanalit Anglez për të shkuar në kërkim të punës në Mbretërinë e Bashkuar dhe për të siguruar leje qëndrimi.

“Ai erdhi në Britani me ëndrrën për të gjetur punë më të mirë dhe, më e rëndësishmja, për të marrë leje për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar”, tha ajo.

Më tej shtoi se ata kishin humbur të dy prindërit e tyre, një humbje që ndryshoi përgjithmonë vëllain e saj. “Leonardi u bë një person tjetër kur nëna jonë vdiq. Vdekja e saj e ndryshoi atë”, zbuloi motra e të ndjerit.

Sipas saj, Leonardi ishte i vendosur të merrte leje qëndrimi në Mbretërinë e Bashkuar ndaj “ishte i gatshëm të përmbushte të gjitha kërkesat e Home Office”. “Ai tha: “Po”, kur i thanë se do të akomodohej në atë anije ku ai kaloi ditët e fundit të jetës së tij. Unë do të gjej paqen në mendjen time vetëm kur të mësoj të vërtetën e asaj që ndodhi atë natë në Bibby Stokholm”, tha ajo.

Lidhur me rastin një zëdhënës i Home Office iu përgjigj interesimit të “The Telegraph duke thënë se “ky ishte një incident tragjik dhe mendimet shkojnë me të gjithë të prekurit”./a2cnn (foto ilustrim)