Shtëpinë e babës, me fier e me kashtë, nuk do të harroj sa të jem gjallë

Kur njeriu plaket, nis dhe iu kthehet rrugëve të fëmijërisë përmes kujtimeve. Kështu ka bërë edhe arsimtari në pension, Asllan Gërbovci nga Gjilani, i cili e rikujton shtëpinë e babës, që tani nuk është më, shkruan Mediafokus.info

Ku mbeti shtëpia e mbuluar me kashtë dhe me fier që e ndërtoi baba Hysen gjatë luftës, sa ishte kaçak në mal, pasi nuk u pajtua me regjimin e Serbisë.

Për ne fëmijët, ajo shtëpi ishte saraj. Shtëpinë që ne kishim, na e dogji shkau dhe ne ndenjëm tek mixha Hasan (Can) nëntë ditë dhe pastaj shkuam tek mixha Ahmet.

Baba Hysen e ndërtoi një shtëpi dhe e mbuloi me fier dhe kashtë. Më kujtohet si sot ajo kohë. Nuk mund të harroj kurrë që kur binte shi, pikat na binin mbi kokë.

Nëna Xhemile, me shpejtësi merrte enët, ndonjë kusi apo tepsi, legen apo koritë dhe i vendoste aty ku pikonte në mënyrë që ne fëmijëve pika të mos na binte mbi krye.

Ajo duhej të kujdesej edhe për zjarrin në oxhak, sepse frikësohej që ndonjë shkëndijë bie mbi kashtë dhe shtëpia digjet.

Kjo ishte shtëpia e babës tim që sot nuk ekziston. Në truallin e saj kanë ngelur vetëm disa drurë.

Ku janë trojet e të parëve tanë që i lanë si ne sot. I lanë në Mat të Shqipërisë dhe erdhëm në Gërbavc. Ne nuk i dimë. Ne i lamë varret dhe arat e të parëve tanë. Varret e Zekës dhe arat e Maliqit, edhe ato i lamë.

Unë i di, por fëmijët e mi nuk i dinë asnjë. Erdhëm në Dazhnicë, ku aty jetova edhe vetë. Fëmijët e fëmijëve as nuk e dinë se atje kanë mbetur emrat e varreve të Kadriovitëve dhe arat e Hysenit dhe Ahmetit të Alisë.

Erdhëm në Gjilan, ku edhe jetoj edhe sot. Ato atje u harruan. Po në Gjilan, a do të harrohen një ditë?

Unë, shtëpinë e babës, me fier dhe kashtë, nuk do të harroj derisa të jem gjallë. /Mediafokus.info