Shukrije Ramadani: Mos nxisni përçarje, FIFA ka rregulla dhe duhet t’i respektojmë
Bashkëshortja e heroit kombëtar Agim Ramadani, Shukrije Ramadani, është deklaruar pas raportimeve se Policia shqiptare nuk ka lejuar futjen e flamurit me figurën e komandant Katanës në stadiumin ‘Air Albania’ në ndeshjen Shqipëri – Ishujt Faroe.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Ramadani është shprehur se policët kanë pasur sjellje të mirë dhe kanë sqaruar arsyen përse nuk lejohet.
Ajo ka bërë thirrje të mos përdoret ky rast për të krijuar përçarje, duke thënë se ka rregulla strikte që i vendos FIFA dhe të cilat duhet respektuar.
“Të dashur miq, që nga përfundimi i ndeshjes Shqipëri-Ishujt Faraoe, vazhdojnë të sillen thashetheme në rrjete sociale lidhur me moslejimin e flamurit me figurë të Agimit dhe të flamujve tjerë ne simbole përpos flamurit kombëtar, në stadionin e kombëtares, gjë që është e vërtetë!. Por ajo që është mëse e vërtetë, ēshtë sjellja e mirë e policëve të cilët na e sqaruan arsyen përse jo?! Duhet ta kemi të qartë se nëse dëshirojmë të përballemi me botën, janë ca rregulla strikte që i vendosë FIFA dhe nuk guxojmë t’i shkelim për hir të futbollistëve tanë të cilët e dëshirojnë suksesin dhe ne që e duam fitoren, bashkë me ta! Andaj ju lutem, mos e përdorni këtë rast për përqarje, se nuk i bëni nder as Agimit e as Kombëtares tonë! Asnjërit nga policët apo sigurimi që ishte i pranishëm nuk i pengonte asnjë simbol e figurë kombëtare, por ishte një vendim që duhej ta zbatonin dhe ne ishim dakord me këtë vendim! Agimi është urë bashkimi dhe përjetësisht do tẽ mbetet si i tillë!”, shkroi ajo.

