Sqaron Ramadani: Komuna e Gjilanit ka participuar me 800 euro për një lopë qumështore

Për të sqaruar opinionin lidhur me keqinformimin e disa mediave rreth çmimit të lopëve qumështore, që Komuna e Gjilanit i ka shpërndarë për bujqit ditë më parë, drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani dhe drejtoresha e Organizatës për Zhillim Rural “Mëshqerra”, Florentina Kida-Gërguri, kanë mbajtur të premten një konferencë për gazetarë.

Drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, ka demantuar interpretimet kinse Komuna e Gjilanit ka paguar 100 mijë euro për një lopë qumështore.

“Ky donacion është projekti më kapital që ka ndodhur në komunën e Gjilanit në sferën e bujqësisë për këtë vit. Në opinion është interpretuar kinse Komuna i la blerë 35 krerë lopë, 100 mijë euro. Këtë dezinformatë e demantoj sepse Komuna nuk ka blerë lopë, nuk kemi pasur procedura të prokurimit, por e kemi përfituar një donacion në vlerë prej 35 krerë mëshqerra, nga tre deri në shtatë muaj barsë, raca Hollshtajn, me origjinë nga Irlanda”, ka deklaruar Ramadani.

Ramadani ka konfirmuar se Komuna ka participuar në këtë projekt me 800 euro për lope qumështore, që në total i bie 28 mijë euro, ndërkaq fermerët kanë participuar me 400 euro për kre.

Ramadani ka njoftuar se pika e particimit të fermerëve ka qenë pikë e negocimit me organizatën “Mëshqerra”, duke shtuar se kjo organizatë ka këmbëngulë në këtë pasi dëshiron të bindet në rezultat, duke e ditur faktin se që kjëto lopë janë të racës Hollshtajn dhe kushtet e mbarësimit janë të veçanta.

“Nuk mundet kjo racë të mbarësohet pakujdesshëm. Organizata “Mëshqerra” e merr përsipër që ta kontraktojë një kompani të specializuar, në mënyrë që mbarësimi të bëhet në mënyrë profesionale. Mbarësimi, koncentratet dhe trajnimet, do t’ju kthehen fermerëve në formë të shërbimeve deri në vitin 2021”, theksoi i pari i bujqësisë në Gjilan.

Drejtoresha e Organizatës për Zhillim Rural “Mëshqerra”, Florentina Kida-Gërguri, ka thënë se kjo organizatë për afro 20 vite ka realizuar dhjetëra projekte të tilla.

“Pajtohem me të githa që i tha drejtori i Bujqësisë, z Ramadani. Pothuajse në të gjitha komuna e Kosovës kemi implementuar projekte të tilla, sikur ky me Gjilanin. Ky është një projekt që organizata Bohar nga Irlanda i ka dhuruar 35 krerë mëshqerra barse për fermerët e Gjilanit dhe gjithçka ka shkuar sipas marrëveshjes me këtë komunë”, tha ajo.