Si asht punu konopi dhe produktet e konopit ktunihere

Ky shkrim për konopin asht nga goja e njeriut që shumë herë e ka punu konopin, ende e mban mend mirë dhe e tregon në detaje këtë punë.

Tregim nga Mehmed Tahiri (1943)

Faren e konopit (fara e konopit ishte fara e Cannabis sativa) e blejshum n’pazar, pazari u bojke ku asht tash “Shpia e Mallrave” masanej pazarit ja ndrrun venin edhe e qiten për ni kohë te udha e Varoshit (rruga prej rrethit t’teatrit deri gati te rrethi i rrugës  Prishtinës), e prej atyhit e qiten n’udhen kryesore prej Xhamisë Madhe e deri te Xhamia e Medreses, mas shumti farë të konopit shitshin shkiet e prej tyne e blejshum. Faren e konopit e mejllshum mas shumti n’vene t’lagshta ku kishke ma shumë ujë po edhe nëse e mjllshum n’vene t’thata u dashke me vadit (me ujit) shumë shpesh. Koha e mbjellës u kane n’pranverë, janë ba vijat edhe janë ba gropat, u qitë fara edhe u mlu kur u kanë lagshti ja kemi qitë edhe nji bancë (copë dheu të fortë) për mos me dal fara se me dal fara përmi dhe, fara   u prish edhe nuk ka bi ma konopi. Konopi asht rritë ma shumë se dy metra i nalt  i madh, ke hup krejt napër ta. Konopi asht nxjerr me rraj n’vjesht, qatëherë u pjek edhe u ba i gatshum me mar pi arave.

Masi u nxjerr konopi u shti n’ujë edhe ka njet 21 ditë për mu rexh, aty ku e qitshum konopin n’ujë peshqit zhabat e kejt gjallesat dilshin permi ujë se u trullavshin, i  zashum me dorë. Edhe fmija kur kajshin shumë nanat marshin fara t’konopit e zishin edhe ju jepshin fmive me pi për mu qetësu edhe me fjet.

Masi ka nejt n’ujë për 21 ditë asht ba truq (kopë)   për mu ter për dy tri ditë se u kullojke edhe u terke shpejt. Masi u terke konopi u qitke n’korita prej druni n’anën e kundërt t’gatësisë s’korites (në mënyr tërthore) edhe u rrehke me peraj pej druni, kjo ka zgat deri sa u da stapi (pjesa e trungut të konopit) e u thy n’copa t’vogla e u coptu edhe u da pi konopit.

Masi është nda konopi asht shti n’gërhane (paisje prej druri me disa dhëmbëza prej hekuri)    pi atyhit ka dal konopi që masanej u përdor për shumë sene si; tesha – veshëmbathje, shtroja t’ndryshme, thasë, kërpesh t’ndryshum, duqi, konop-litar për nevoja t’shumta e shka jo. Konopi i mirë ska ditë mu shky u kanë shumë i mirë, edhe n’atë kohë njerzit  kanë fitu me konop se u shitë n’pazar, janë shitë kejt qato që i përmena ma nalt njerzit e kanë pas si sot që po i thuni ju “biznis” e kanë nxjerr buken e gojes po edhe janë pasunu prej prodhimeve t’konopit.

Ky ishte tregimi autentik i Mehmed Tahirit për mënyrën e prodhiit të konopit, i cili publikohet pa ndërhyrje.

Shënim: Bima e konopit është bima Cannabis sativa që në ditët e sotme është e ndaluar të mbillet sepse hynë në grupin e bimëve narkotike.