Si bashkëjetoi për një vit 20-vjeçarja nga Gjilani me një person të dyshuar nga Shqipëria
20-vjeçarja Mirjeta Hajdini, e cila u ndalua bashkë me Nuredin Dumanin natën e arrestimit të tij, ka marrë masën e sigurisë detyrim paraqitje 2 herë në javë nga Gjykata e Elbasanit.
Ndërsa shoku i tij, Henrik Hoxhaj është lënë në burg, me akuzën për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, raporton A2CNN.
Ndërsa Hajdini akuzohet për përkrahje të autorit të krimit.
Gjatë seancës, 20-vjeçarja nga Kosova ka deklaruar se bashkëjetonte prej një viti me Dumanin në Gjilan, dhe se ajo e njihte me emrin Ardit Spahiu.
Sipas dëshmisë së saj, prej 2 javësh kishin ardhur në Shqipëri, por ajo nuk kishte dijeni për të shkuarën e Dumanit.
Ndërkohë, të dielën do të shqyrtohet edhe masa e sigurisë për mjekët të cilët u arrestuan pasi mjekuan Dumanin natën e arrestimit të tij, por nuk lajmëruan autoritetet.
Mbi ta rëndojnë akuzat e moskallëzimit të krimit dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Të premten, Gjykata e Posaçme njohu me masën e sigurisë “arrest në burg” Nuredin Dumanin, të marrë në mungesë ndaj tij.
Seanca u bë në ambientet e Spitalit të Traumës, ku Dumani ndodhet pas plagosjes në atentatin e tri ditëve më parë, në Papërr.
Në GJKKO, Dumani është dërguar si i pandehur për vrasjen e Dorian Shkozës, Anxhelo Avdisë dhe Besmir e Viktor Haxhia, ngjarje të ndodhura pranverën e vitit 2020, në Durrës.
I kërkuari prej disa vitesh si një ndër personat më të rrezikshëm, fati e deshi që të arrestohej pasi dështoi një atentat për eliminimin e tij.
Nuredin Dumani u prangos nga forcat RENEA, të cilat e gjetën në një apartament në lagjen “Apollonia” të Fierit.
Në fakt, ndjekja dhe angazhimi i policisë kanë ardhur pas një atentati të dyshuar të dështuar ndaj Dumanit, në aksin rrugor Cërrik-Elbasan.
Pikërisht nga këtu ka nisur ndjekja policore ndaj të shumëkërkuarit, i cili është ndaluar më pas në Fier, ku është gjetur i plagosur me armë zjarri.
Arrestimi i Dumanit pritet të sqarojë disa ngjarje kriminale, ku ky person dyshohet se ka qenë i implikuar drejtpërsëdrejti.
Duke nisur që në grabitjen e bujshme në pistën e aeroportit të Rinasit të disa miliona eurove dhe për të pasuar me vrasjen e katër personave në Durrës, si dhe ekzekutimin në Elbasan të Bujar Çelës, vëllait të një prej ish-bashkëpunëtorëve të Dumanit, Talo Çelës.
Edhe prokurori i Elbasanit, Kreshnik Ajazi pranoi faktin se arrestimi i Dumanit pritet t’i japë një dinamikë të re hetimit të disa dosjeve, jo vetëm në Prokurorinë e Elbasanit, por edhe në prokurori të tjera të vendit.


