Gjilan: Konferencë për menaxhimin e mësimit në kohë pandemie
Në Gjilan është mbajtur sot konferena me temën “Menaxhimi i procesit mësimor gjatë pandemisë Covid-19”, që kishte si qëllim shkëmbimin e përvojave mes shkollave.
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se janë dy ngjarje shumë të vështira, ku komuna jonë është prekur direkt në procesin mësimor dhe në jetë, në përgjithësi pas luftës – termeti i vitit 2002, i cili ka shkaktuar ndërprerje të mësimit dhe tani pandemia, e cila njëkohësisht ka shkaktuar shkëputje të nxënësve nga shkolla.
“Në vitin 2002 ishte një fatkeqësi natyrore, ajo tërmetit të fuqishëm, që dëmet më të mëdha atëherë kishte pësuar Gjilani dhe procesi mësimor karshi shumë vështirësive edhe atëherë ishte ndërprerë për një kohë, duke kërkuar alternativë të organizimit. Gjithashtu, në vitin 2020 pandemia Covid-19 ka ndikuar edhe më shumë në procesin mësimor, duke bërë që fëmijët dhe mësimdhënësit të organizohen në forma të tjera dhe rrugë sekondare, përmes platformave online, për të bërë të mundur realizimin e procesit mësimor. Fal punës shumë të madhe të Drejtorisë Komunale të Arsimit, drejtorëve të shkollave, mësimdhënësve, prindërve dhe nxënësve, procesi mësimor ka vazhduar në distancë dhe organizimi i tij është bërë në një kohë rekorde, duke bërë që fëmijët shumë pak të humbin në të nxënit. Gjilani edhe në këtë aspekt ka dëshmuar riorganizim dhe gatishmëri të komunikimit me nxënësit që të njejtit të mos kenë humbje në mësimnxënie”, ka thënë mes tjerash kryetari Haziri.
Drejtori i Arsimit, Nazim Gagica, ka falënderuar të gjithë drejtorët dhe mësimdhënësit duke potencuar se në fillim të organizimit të mësimit online në Gjilan nuk kishte asnjëherë dilema, nëse mund t’ia dalin sepse siç ka theksuar ai, të gatshëm ishin të gjithë faktorët kryesor të organizimit në trekëndëshin e suksesit mësimdhënës-nxënës-prindër.
Dugagjin Pupovci, zëvendës ministër i Arsimit dhe Shkemcës, njëherësh njohës i zhvillimeve në arsim, në Kosovë, ka thënë se mësimi online ka tekaluar pritjet, për shkak se shumë shpejt është kuptuar se ajo është forma e vetme e realizimit të mësimdhënies dhe nxënies në fillim të pandemisë.
Ai ka potencuar se organizimi i mësimit online ka hapur mundësi të mira që gjatë të ardhmes të ketë edhe mësim në distancë që në këtë formë shkollat të jenë të përgatitura për çdo të papritur.
Drejtoresha e shkollës “Thimi Mitko”, kampione në nivel vendi, Sevdije Sadiku, ka thënë se organizimi i shpejt i mësimdhënësve dhe prindërve për fëmijët e tyre ishte i veçantë, duke bërë që të mos kemi thuajse aspak humbje në procesin mësimor.
Me fjalë rasti kanë kontribuar në këtë konferencë edhe Dritë Kadriu, Dr. Mensur Neziri, Tobias Seiberlich (GIZ), në një pjesëmarrje të gjerë në nivelin e drejtorëve dhe koordinatorëve të shkollave kampione të Kosovës.