Si duhet të ushqeheni gjatë muajit të agjërimit – këto janë këshillat e dietologes
Ajshe Leka, nutriciste/dietologe
Ramazani është muaj i agjërimit për besimtarët myslimanë. Gjatë kësaj periudhe, sipas rregullave të agjërimit, hiqet dorë nga ushqimi dhe pijet brenda orëve sa zgjat agjërimi.
Mendohet që abstenimi nga ushqimi mund të ndihmojë në detoksifikimin e organizimit, duke shpërbërë qelizat dhjamore, për t`i përdorë për energji dhe duke çliruar toksina që mund të jenë të depozituara në to.
Nëse rregullat ndiqen si duhet, agjërimi mund të ndikojë në uljen e kolesterolit dhe në largimin e peshës së tepërt.
Të moshuarit, të sëmurët, gratë shtatzëna, gratë të cilat ushqejnë me gji bebet e tyre, janë të liruara nga agjërimi.
Ndryshimi i zakoneve ushqimore në muajin e Ramazanit mund të shkaktojë edhe probleme shëndetësore, prandaj rekomandohet që të përcillet gjendja shëndetësore e çdo agjëruesi.
Vaktet ushqimore gjatë agjërimit
Gjatë Ramazanit, nëse ushqimi konsumohet i kombinuar me të gjithë nutrientet e nevojshëm, siç janë proteinat, karbohidratet, vitaminat, fibrat, yndyrat, mineralet dhe uji dhe, nëse merret në mënyrën e drejtë dhe në sasinë e duhur, atëherë trupi nuk do të ndjejë uri.
Gjatë periudhës së agjërimit, të gjithë ata që mbajnë Ramazan, ushqehen në dy vaktet kryesore, siç janë iftari dhe syfyri, por është shumë e rëndësishme rritja e numrit të vakteve, për të mos përjetuar probleme metabolike.
Për këtë arsye mundohuni të konsumoni edhe një vakt pas iftarit.
Ushqimi që duhet konsumuar
Në orët e lejuara për marrje të ushqimit, është e nevojshme të konsumohet ushqimi i cili tretet ngadalë, ushqime të pasura me vitamina, minerale dhe oligo-elemente, të cilat gjinden në pemë dhe perime të freskëta sezonale, te pemët me lëvore, pastaj te pemët e thara, siç janë hurma, kajsia, rrushi, fiku apo kumbullat.
Kastraveci është një burim shumë i mirë plotësues për ujin dhe elektrolitët.
Bostani e pjepri gjithashtu janë fruta që plotësojnë më së miri nevojat për lëngje, sheqer dhe fibra.
Ushqimet me përmbajtje karbohidratesh, të shoqëruara me sa më shumë fibra dhe ujë, siç janë: tërshëra, elbi, thekra, buka e zezë, makaronat kafe dhe orizi kafe, patatet e vogla me lëkurë, bizelet, fasulet dhe misrat sigurojnë më shumë energji gjatë ditës.
Konsumimi i pijeve gjatë agjërimit
Është e rëndësishme të merren mjaftueshëm lëngje, së paku 8 gota ujë dhe jo vetëm gjatë ushqimit, por edhe në kohën mes vakteve, duke mos anashkaluar as çajrat bimorë.
DISA KËSHILLA:
– Mos e teproni me kripën, pasi gjatë agjërimit mund të keni etje.
– Mundohuni të qëndroni larg ushqimeve të skuqura dhe produkteve me yndyrë, të kripura apo me sherbet.
– Nuk rekomandohen pijet e gazuara, sepse kanë ndikim të keq në organizim dhe shkaktojnë pengesa në lukth e zorrë.
– Gjatë Ramazanit është mirë të ndiqni një regjim të ekuilibruar në të dy vaktet. /Mediafokus.info

