Si i pasqyruan mediat botërore protestat në mbështetje të popullit palestinez

Dje janë zhvilluar dhjetra manifestime në mbështetje të palestinezëve, në Paris, Londër, Berlin, Madrid, Kopenhagë dhe Tunis. Mbështetja ishte e drejtuar veçanërisht ndaj palestinezëve në Gaza, ku pati bombardime nga ushtria izraelite, e cila tha se synonte lëvizjen Hamas në një cikël të ri të dhunës së konfliktit të papërfundueshëm në Lindjen e Mesme, njofton media e Kanadasë.

Ishin 150,000 persona duke marshuar në Londrën qendrore. Organizatorët, përfshirë koalicionin Stop Luftës, shoqatën Myslimane të MB dhe Fushatën për Çarmatimin Bërthamor, i bënë thirrje qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të ndërhynte menjëherë për të siguruar që “dhuna brutale” e Izraelit kundër popullit Palestinez të mos mbetet “pa u ndëshkuar”.

Në disa qytete franceze gjithashtu qytetarët i janë përgjigjur thirrjes për të protestuar e në disa raste duke sfiduar ndalimin nga autoritetet, pikërisht në kryeqytet për shkak të masave sanitare kundër Covid-19, ku dhe kishte raportime për takime të tensionuara ballë për ballë midis protestuesve dhe policisë.

Në Paris, sipas policisë, u mobilizuan rreth 4200 policë dhe xhandarë. Forcat e kontrollit të trazirave kryen “shpërndarjen sistematike dhe të menjëhershme” duke përdorur lëshues uji dhe gaz lotsjellës. Media raportoi disa përplasje në rrethin e njohur Barbes në Parisin verior, ku protestuesit talleshin me zbatimin e ligjit anti-Covid, me parulla si “Palestina do të jetojë”, “Palestina do të fitojë” dhe “Izraeli është vrasës”.

Organizatorët e këtyre protestave kritikuan autoritetet franceze, të cilët duan, sipas tyre, “të lejojnë që situata të kalbet”. Protestat ishin të ndaluara në Paris, por të autorizuara në qytete të tjera të Frances. Tubime dhe demonstrata u zhvilluan në Strasburg, ku 4,000 prej tyre marshuan pas një banderolë “Urgjenca e Palestinës, kundër murit dhe pushtimit, për respektimin e ligjit ndërkombëtar, angazhimin e menjëhershëm të Evropës”. Protesta kishte edhe në Montpellier, Lyon, Bordeaux, Marseille, Nantes dhe Rennes.

Mijëra njerëz demonstruan gjithashtu në Berlin të Gjermanisë dhe në disa qytete të tjera gjermane, me thirrjen e kolektivave pro-palestineze. Në Berlin, protestuesit ishin prapa slloganit “marshimi i popullit Palestinez për çlirim dhe kthim” në sheshin qendror Hermannplatz, duke tundur flamuj palestinezë si dhe pankarta që kërkonin një “bojkot të Izraelit”. Disa demonstrues këtu hodhën predha ndaj policisë andaj autoritetet ishin të obliguar të arrestonin disa prej tyre.

Në Spanjë, ishte qyteti i Madridit ku demonstruesit pro-Palestinez zgjodhën të dilnin sot. Ata ishin rreth 2,500 duke ecur rrugëve në kryeqytet, të gjithë në paqe. “Jeruzalemi, kryeqyteti i përjetshëm i Palestinës”, mund të lexohej në pankarta të mbajtura nga demonstruesit. “Nuk është një luftë, është një gjenocid!”, brohorisnin ata. “Ata po na vrasin. Ne jemi në një situatë në të cilën Naqba (“katastrofa” në arabisht) vazhdon në shekullin 21″, i tha AFP Amira Cheikh-Ali, 37 vjeçe, vajza e dy prindërve refugjatë palestinezë, duke iu referuar termit të përdorur për t’i referuar eksodit të Palestinezët pas krijimit të Shtetit të Izraelit në maj 1948.

Në Varshavë të Polonisë rreth 300 persona demonstruan para ambasadës izraelite. Me flamuj palestinezë në dorë, ata mbanin lart shenjat “Stop Holokaustit të Palestinezëve” ose “Jeruzalemi, kryeqyteti i palestinezëve”, dhe bërtisnin parrulla në favor të “Palestinës së lirë”. “Nuk duhet të jeni mysliman për të mbështetur Palestinën, ju thjesht duhet të jeni njerëzor”

Në Romë, disa qindra njerëz u mblodhën pranë Bazilikës së Santa Maria Maggiore, duke mbajtur flamuj të mëdhenj palestinezë dhe duke brohoritur parulla. “Ju nuk duhet të jeni mysliman për të mbështetur Palestinën, ju thjesht duhet të jeni njerëzor”, lexohej në një pankartë që mbanin protestuesit.

Në Danimarkë, policia ka arrestuar tre persona në kryeqytet pas dhunës. Protestuesit hodhën gurë në drejtim të ambasadës izraelite dhe nuk arritën të rrespektonin ligjin njoftoi media. Një protestë para ambasadës izraelite në Kopenhagë u prish për shkak të “shqetësimeve” të rendit publik, tha policia lokale në Twitter.

Në Tunizi, qindra demonstrues morën guxim përkundër masave parandaluese të COVID-19 për t’u mbledhur në qendër të kryeqytetit, përpara se të marshonin në rrugën ikonike Habib Bourguiba, nën mbikëqyrjen e policisë. Protestuesit ishin kritikë ndaj qeverive perëndimore. “Kur bëhet fjalë për masakra kundër palestinezëve, fuqitë ndërkombëtare heshtin dhe nuk reagojnë përpara krimeve sioniste”, denoncoi Dalila Borji, një studente 23-vjeçare. Për nënën e saj Nahla, “kjo padrejtësi po nxit gjithnjë e më shumë urrejtjen e njerëzve ndaj Izraelit dhe vendeve që e mbështesin atë”.

Qeveria tuniziane dënoi një “agresion kundër Territoreve Palestineze” të kryer nga Izraeli dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të “marrë përgjegjësitë e tij”. Të premten në Jordan, mijëra njerëz morën pjesë në tubimet më të mëdha të mbajtura në vend për solidarizim me palestinezët në Jeruzalem dhe Gaza. Në Aman, protesta filloi pas lutjeve të së Premtes jashtë Xhamisë së Madhe Husseini në qendër të kryeqytetit.

Që nga e hëna, rritja e dhunës midis ushtrisë izraelite dhe lëvizjes Hamas në Gaza nuk ka treguar asnjë shenjë të zbutjes. Autoritetet e fundit palestineze raportojnë më shumë se 130 të vdekur në sulmet e bombardimeve izraelite në Rripin e Gazës. Forcat izraelite thonë se po i përgjigjen zjarrit me raketa të Hamasit në Izrael. Të shtënat filluan pas kryengritjes palestineze në Xhaminë Esplanade në Jeruzalemin Lindor, e cila la 10 të vdekur, thuhet në Radion Kanadeze sot më 15 maj. /MLH