Si kremtohej dikur dita e Shëngjergjit në trevat e Medvegjës?

Rexhep Abazi (Medvegjë)

Popullata shqiptare e Medvegjës i përket besimit islam. Mbase, në biseda është dëgjuar të thuhej se paraardhësit e shqiptarëve në këto troje kishin fenë e krishterë. Fatkeqësisht që nuk doli askush të merrej me ndonjë studim shkencor për të kaluarën e këtyre shqiptarëve.

Besimi islam u përcoll prej gjenerate në gjeneratë dhe u ruajt deri në ditët e sotme. Por është karakteristike që tek këta shqiptarë u ruajtën edhe disa festa, ndoshta edhe me prejardhje pagane apo edhe krishtere si: Dita e Shëngjergjit, Dita e Ali Gjynit, Dita e Shën Mitrit, Dita e Verës e të tjera.

Shënimi i këtyre festave, edhe pse në mënyrë simbolike, ndoshta lë të kuptohet se në këto treva, dikur shqiptarët kishin një përkatësi tjetër fetare.

Dita e Shëngjergjit, në Medvegjë shënohej gjithmonë të njëjtën datë, më 6 maj. Nuk mund të them se ishte ndonjë festë karakteristike, por ndoshta më tepër një lloj shprehjeje rituale dhe simbolike.

Në këtë ditë nuk punohej edhe pse thuhej se në pjesën e paradites kjo lejohej, por që nga dreka e tutje ishte e ndaluar. Ekzistonin besëtytni se ndoshta atij që punon në ditën e Shëngjergjit pas dreke, mund t’i ndodh ndonjë e keqe, apo ndonjë dënim nga Perëndia.

Festa ishte e ndarë në dy pjesë: Nata e Shëngjergjit dhe Dita e Shëngjergjit.

Nata e Shëngjergjit

Nata e Shëngjergjit ishte gjithmonë në mbrëmjen e 5 majit dhe i paraprinte ditës së tij. Në këtë natë bëheshin disa rituale:

Fëmijët kishin për detyrë të mblidhnin lule nëpër livadhe, degë të ahut dhe të shelgut e bimë të tjera të gjelbra, me të cilat stoliseshin dyert e të gjitha hyrjeve, mbase edhe dyert e oborrit, të stallave, torishtave dhe ahureve të kafshëve, sipas bindjes se kjo u sjell shëndet edhe njerëzve, edhe kafshëve, shpezëve, bletëve.

Të rriturit merreshin me ca punë shtëpie lidhur me këtë ditë, të themi të ndarë nga të tjerat        (burrat sillnin dru nga mali për të ndezur zjarrin në të cilin gatuhej). Gratë e shtëpisë merreshin me gatimin e një ushqimi më të begatë për natën dhe ditën e Shëngjergjit.

Në natën e Shëngjergjit zihej një vegsh me fasule në të cilin shtoheshin edhe ca kokrra misri dhe gruri,  hithra, lakra livadhi etj., sepse sipas besimit, këto e ruajnë dhe sjellin shëndet tek njerëzit.

Përpara mbrëmjes, në oxhakun e shtëpisë gatuhej një bukë nga mielli i grurit,  një kokërr vezë e zier  dhe merrej një copë e madhe e djathit.

Të gjitha këto mbështilleshin në një shami dhe në afërsi të shtëpisë gjendej një  vend buburrecash (gropë e buburrecave) futeshin në të dhe mbuloheshin mirë me dhe, për të qëndruar deri në mëngjesin e ditës së nesërme.

Të nesërmen herët në mëngjes nxirreshin nga gropa e buburrecave dhe nga kjo bukë, nga kjo vezë e nga ai djathë, të gjithë anëtarët e familjes merrnin nga një pjesë, ishte obligative për secilin, sepse supozohej se kjo do e ruaj shëndetin e tyre deri në ditën e Shëngjergjit tjetër.

Po kështu një pjesë e këtyre ushqimeve u jepej edhe ca kafshëve, simbolikisht për të ruajtur edhe shëndetin e tyre.

Këtë obligim e kishin në kompetencë zonja e shtëpisë dhe magjetorja e shtëpisë.

Pas ngrënies së darkës, e cila në këtë natë shtrohej më herët se netëve të tjera, të gjithë shkonin në gjumë, sepse në ditën e nesërme duhej të zgjoheshin nga gjumi më herët se ditëve të tjera.

Dita e Shëngjergjit:

Pjesa kryesore e kësaj feste ishte Dita e Shëngjergjit. Në mëngjesin e kësaj dite preferohej që të gjithë anëtarët e familjes të zgjoheshin nga gjumi në agimin e saj.

Kjo ditë fillonte me këto aktivitete:

Zonja e shtëpisë dhe gruaja që do gatuante ushqimet zgjoheshin të parat.

Në një enë të punuar nga dheu, që i thoshin kënatë, e që në ditët e rëndomta përdorej për të pirë ujë nga ajo, zonja e shtëpisë hidhte në te lule, degëza ahu dhe shelgu me gjethe të freskëta, hithra e të tjera dhe para se të zgjoheshin nga gjumi anëtarët e familjes i stërpikte              me këta ujë të gjithë duke u thënë: QOFSHIT ME SHËNDET!

Pas këtij rituali, të gjithë zgjoheshin nga gjumi, mbase edhe fëmijët dhe visheshin me rrobat më të mira që i kishin – solemne.

Zoti i shtëpisë, ata që kishin gjendje më të mirë ekonomike, e që ishte pjesa më e madhe e tyre,  heret në mëngjes e therte zakonisht një qengj apo një edh (kec) dhe e bënte gati që gratë pastaj ta gatuanin për drekë, ndërsa ata me gjendje më të hollë ekonomike, së paku thernin një gjel.

Gratë fillonin të ashtuquajturat punët e shtëpisë, apo siç u thoshin shpesh edhe punët e grave

(pra  i vishnin  e ushqenin fëmijët e vegjël e pastaj fillonin përgatitjen e ushqimit për drekë)

Burrat e familjes organizonin aktivitete në familje dhe ndihmonin nga pak në përgatitjen e ushqimit (sillnin drutë për ndezjen e zjarrit) etj.

Barinjtë në këtë ditë i lëshonin më herët kafshët në kullosa, sepse që nga kjo ditë ndryshonte edhe regjimi i kullotjes së tyre  nga se ato tani nuk qëndronin më tërë ditën në kullosa, por në drekë ktheheshin në shtëpi (ne i thoshim në menges) dhe të mbyllura qëndronin afro 2-3 orë e pastaj përsëri lëshoheshin në kullosa pas dreke.

Dreka e ditës së Shëngjergjit organizohej për të gjithë familjen, pra ishte obligative që të gjithë të ishin në sofrën e përbashkët, që zakonisht shtrohej pas orës 12:00 të ditës, pas faljes së namazit të drekës.

Pas drekës, gratë dhe fëmijët rrinin në shtëpi duke organizuar aktivitete por edhe lojëra të ndryshme.

Për fëmijët në një degë të pemës lidhej një litar dhe improvizohej një luhatje e tyre, sepse kjo e garantonte shëndetin dhe zhvillimin e tyre të mirë. Nuk kishte të keqe që edhe të rriturit të luhateshin në këtë litar.

Burrat e shtëpisë në këtë ditë, në pjesën e pasdrekes, kishin obligim të merrnin pjesë në tubimin apo takimin e fshatit i cili mbahej në një vend të caktuar, zakonisht në ndonjë livadh në mesin e fshatit, e pas luftës së dytë botërore, kur u ndërtuan dhe u hapën shkollat, nëpër fshatra, në oborrin e shkollave.

Në këto tubime, apo takime burrat e fshatit fillimisht bisedonin për organizmin e punëve të përbashkëta të fshatit (zgjidhnin udhëheqësinë e fshatit, kryeplakun, caktonin rojën e fushës, të cilin e paguanin të gjithë së bashku), caktonin rregullat e përbashkëta të jetës dhe punës së fshatit etj.

Pas kësaj  organizoheshin aktivitete t’i quajmë kulturore: Valle me tupan dhe zurle, këngë trimërie (kryesisht folklorike), lojëra të kuajve, mundje, gjuajtje në shenjë me pushkë, vrapime, gjuajtje e gurit, pajtimi i ndonjë ngatërrese nëse ekzistonte në mes njerëzve të fshatit etj.

Këto aktivitete zgjatnin pothuaj se deri në mbrëmjen e kësaj dite.

Nga kjo ditë ndalohej kullotja e bagëtisë në të gjitha livadhet, të cilat duhej kositur për sanën e bagëtive për dimër dhe që nga kjo ditë,  nëse pa dashje apo pa qëllim, kafshët e dikujt hynin në livadh, arë apo bënim dëm tjetër, roja e fushës (polaku) i nxinte ato, i mbyllte diku dhe pronari nuk mund t’i merrte pa paguar një gjobë për dëmin e shkaktuar (në rastet më të shpeshta, hera e parë u falej).

Vlerësimin e dëmit e bënin burrat – udhëheqja e fshatit, nëse nuk kishte marrëveshje reciproke në mes të shkaktuesit të dëmit dhe të dëmtuarit.

Mbase nga Dita e Shëngjergjit në këto troje fillonte puna intensive e fshatarëve në arë, në fushë, në livadh e çdo kund, sepse tani fillonte koha e punës serioze nga e cila sigurohej kafshata e bukës për tërë vitin.

Kështu mbaronte shënimi i Ditës së Shëngjergjit tek shqiptarët e Medvegjës, sidomos deri në vitet 1999, kur në këto treva ishin të gjithë shqiptarët e saj.

Nga kjo kohë e ligë për neve, pasi që regjimi i Serbisë së asaj kohe e dëboi pjesën më të madhe të shqiptarëve – 90% të tyre, pjesa e mbetur po e vazhdon këtë traditë, por në  mënyrë shumë të zbehur, sepse edhe koha e ka bërë të veten.

Nga vitet 2000 e këndej, shqiptarët e mbetur në Medvegjë së bashku me ata të cilët u dëbuan dhe me mërgatën shqiptare të organizuar në Shoqatën “Medvegja” në Zvicër, kanë bërë një lloj modifikimi të kësaj feste duke e bartur atë në Ditën ndërkombëtare të punës, më 1 maj të çdo viti, kur takohen dhe me aktivitete të ndryshe sportive, kulturore, krijuese, artistike, organizojnë manifestimin “Takimet e vendlindjes”, i cili fatkeqësisht në këtë vit nuk u organizua për shkak të pandemisë./mediafokus.info