Si mësimdhënësit serbë, lëndën po ma ‘shpjegonin vetëm mua…?!’
Hasan Bunjaku
(Dromca autobiografike)
Paralelja ime, në shkollën e mesme Ekonomike, kryesisht përbëhej nga nxënës goxha të dobët, apo që shumica as e dinin gjuhen serbokroate, në të cilën, lëndet e tyre gjegjëse, po i shpjegonin profesorët, andaj, ligjeruesit, kur shumë shpejt e kuptuan këtë fakt, pos meje që dallohesha me “kodra e male” nga të tjerët, kryesisht gjatë shpjegimeve të njësive gjegjëse metodike, sipas plan-programeve, drejtoheshin direkt e kah unë, fillimisht e më vonë, madje, më vinin edhe aty afër bankës, përballë dhe më drejtoheshin ekskluzivisht mua, ndërsa për të tjerët, sikur aq u bënte…!
Madje, përgatiteshin shumë mirë për ta zhvilluar akëcilën temë a njësi të lëndës, sepse e dinin se do të kishin probleme me mua.
Një profesor i gjuhës serbokroate, njëfarë Vllada Stojilkoviq, e i cili, sipas të gjitha gjasave, ishte i minoritetit bullgar nga Piroti, gjë këtë që e hetova menjëherë, sepse goxha rëndë e fliste gjuhën serbe, e madje jo rrallë i shpëtonte edhe ndonjë fjalë bullgare, si bie fjala: “luboff”! (në vend të lubav-dashuri), ndërkaq që si shprehi e kishte përdorjen kaq të shpeshtë të pjesëzës “jeli” (apo jo?) vend e pa vend, më shumti ma kishte “drojën” mua, sepse nuk e kisha për gjë, që gjatë shpjegimit të tij, të ndërhyja: “Nije tako!” (S’është ashtu!), e ai, i mbuluar me djersë, më kthente me të butë: “Pa kako je onda, Bunjaku?” (Epo si është e drejtë pra…?).
“Po ju në orën e fundit për këtë shkrimtar na keni thënë se është ndër më të mirët e sot po thoni se ai ishte një shkrimtar “nën mesatare…’ Cila është këtu e drejta dhe e vërteta?”
Mundohej, i gjori disi të justifikohej, e t’i humbte filli i të spieguarit (sepse diç duket, atë që kishte për ta spieguar, e mësonte disi përmendësh dhe mekanikisht na e “deklamonte”)…
Lëndët, vetëm mua, i spiegonin edhe të tjerët: si një Gordana Pallamareviq, e më pastaj, një Zarije Zubiq, një Urosh Tasiq, që ishte një “sharllatan i lindur”, por, ndonëse ky me një konsideratë të lartë – edhe një profesor i vjetër nga Mostari i Bosnës, një Branko Tomiq (Deda-Branko=Gjyshi Branko, siç e quanim), një doktor i shkencave juridike mbase.
Hallet më të mëdha, edhe mësimdhënësit shqiptarë , po edhe ata serbë, kishin me mua, kur po i pyesnin për “nota” (që t’jua vlerësonin dituritë nxënësve), sepse, tashmë më ishte bërë obsesion, thuaja sëmundje, që t’iu pëshpërit shokëve, që ta “marrin ndonjë notë pozitive”, aq sa në shumë raste edhe më hetonin profesorët gjegjës, e serbët, heshtnin, ndërkaq që mësimdhënësit shqiptarë, më përjashtonin nga ora fare, madje edhe me atë: “shko e paraqitu drejtorit!”.
Madje, desh pëlcisja që goxha me një zë që të mos depërtojë deri te profesori, t’ia tregoja përgjigjen në pyetjen e profesorit, akëcilit nxënës, disa që nuk e “kapnin” fare, madje nga neuroza e ngritja plotësisht zërin dhe ia thosha përgjigjen, e kjo iu pengonte kaq shumë profesorëve, që madje në ndonjë mbledhje të Këshillit të mësimdhënësve, do të më paraqisnin si njeri që po iu “shkaktoja probleme”…
Drejtori, Sadullah Brestovci (ndjesë pastë), ndonëse ishte kaq i rreptë, si me nxënës si me mësimdhënës, mua më ka dashtë kaq shumë, dhe e “kapërcente” këtë çështjen time fare… Më kënaqnin disa shokë që vetëm po t’i lëvizja buzët përnjëherë “e kapnin” përgjigjen dhe e “merrnin ndonjë notë pozitive kaluese”…
Problem më vete, profesorët do të kishin me mua, në lëndët ku bëheshin ato 4 hartimet shkollore gjatë një viti në klasë, siç ishin gjuhët: shqipe, serbokroate, angleze, matematikë…, sepse kaq shpejt i kryeja hartimet e mia në temat e dhëna, dhe pjesën tjetër të orës, duke iu shkruar kujt mundja pjesët e hartimeve, andaj, zakonisht, kur mbaheshin këto orë, mua më “lironin” fare, dhe nuk më lejonim fare të qëndroj në klasë. Edhe në këso rastesh, përpiqesha të gjej mënyra, që disi t’iu ndihmoj, që nga jashtë.
Në fakt, sipas idesë sime, me një “kuti çibriti” (shkrepse), të zbraztë, e të lidhur me një pe të hollë, që nga kati i dytë, që me kohë e lëshonim poshtë për dritare, e sapo i jepte akëcili profesor detyrat në dërrasë të zezë, ndonjë më i shkathëti, që gjendej ulur më afër dritares, i përshkruante ato me një letër të hollë, dhe e bënte shuk letrën dhe e gjuante për dritare, të cilin unë po e prisja poshtë, dhe me një fletë që e mbaja me vete, i zhvilloja detyrat (të matematikës, ta zëmë), dhe e palosja shumëfishë atë për ta futur në kutinë e “çibritit”, dhe e tërhiqja dy-tri herë perin (që sipas marrëveshjes paraprake, ishte shenja se kisha kryer punë, dhe do mund ta tërhiqnin perin e “çibritin), dhe ata shpejtazi e tërhiqnin lartë atë; ai më i shkathëti i përshkruante ato detyra, dhe pastaj letrën jua përcillte të tjerëve…
Këso makinacionesh e “dallaveresh”, ndodhnin kaq shpesh dhe në kaq shumë mënyra, vetëm e vetëm që sa më pak shokë të klasës të ngelnin e ta humbnin ndonjë vit shkollor…

