Si po shpërblehen nga Serbia përfaqësuesit e strukturave paralele në Kosovë?
Strukturat paralele të Serbisë vazhdojnë të funksionojnë në Kosovë, edhe njëzet vjet pas luftës, pavarësisht se autoritetet kosovare dhe ato ndërkombëtare, për një kohë kishin investuar në integrimin e komuniteteve në jetën institucionale dhe publike të vendit dhe pastaj vendosën për krijimin e komunave një etnike, po për të njëjtin qëllim.
Koha po tregon se serbët lokalë janë të manipuluar nga politika destruktive e Serbisë, e cila po manipulon me ta për qëllime të vetat.
Një shkrim i publikuar në portalin serb KM novine, e dëshmon më së mirë ekzistimin e strukturave serbe në Kosovë, po aq sa nxjerr në shesh edhe mospajtimet mes tyre sa i përket ndarjes së shumave të majme të parave në emër të projekteve për komunitetin e që në të vërtetë u jepen besnikëve të pushtetit në Beograd.
Funksionimin e shtetit serb në Kosovë, qeveria e Vuçiqit e ka kthyer një organizatë kriminale që vepron nën ombrellën e ndihmës humanitare. Kjo organizatë, nën moton e përkujdesjes për popullin, ofron ndihmë vetëm për ata persona që janë të afërt me pushtetin serb.
Kjo organizatë, sipas këtij burimi, gjithçka që ka mbetur në krahinë, po e plaçkit dhe po e shfrytëzon për shpëlarje parash dhe pasurim të funksionarëve të saj. As më shumë dhe as më pak, qendra e këtij aktiviteti kriminal është e vendosur në Zyrën e KM, thotë burimi serb.
Për më tepër thuhet se ky aktivitet i strukturave serbe në Kosovë është “edhe një nga shumë të tjera punë hajnish të përfaqësuesit serb në Komunën e Gjilanit”, duke shtuar se më 16 shtator 2019, Zyra për KM ka lejuar mjete në shumë prej 92.613 euro për projektin e linjës së prodhimit dhe paketimit të lajthive dhe arroreve tjera.
Këto mjete i janë ndarë Snezhana Trajkoviq nga Burdiga e Poshtme, e cila është e punësuar në shkollën fillore të Kufcës dhe është bashkëshortja e Stanko Trajkoviqit, anëtar i Komunës së Gjilanit, sipas sistemit të Republikës së Serbisë, shkruan portali serb KM novine. /MediaFokus/

