Si sod, kurrë ma ngusht s`jam kanë n’jetë teme
Hasan Bunjaku
Babgjysh Demiri, çartaqejfas, vetë i katërdhjeti, pas dreke, arriti në Desivojcë. Babë Zeneli i doli para:
– A muj erdhe, o babë e a u lodhe shumë?! – i ndihmoi të zbresë nga kali.
– Erdha me gjysë shpirti e i dalun “kryqit krejt…!”
– Hajërli koftë, po shka ta “prishi dymenin” allahile?! – u brengos i biri.
– Hallki, biro, dynjeja e besa ere xhanarët e kralit!
– Nejse, se hallki e dynjeja qat punë e kanë, po me xhanarë shka t’doli punë se?
– Valla, bre bir, si sod, kurrë ma ngusht n’jetë s’jam kanë, veç… Masi s’e pata atë virane koburre me vete, se ajo për qit ditë kishe vyn, po atë ditë, as mue e as juve, nuk ju ra n’men me ma përmen e veç m’banën horrë xhanartë, e hajt…!
– Paj s’p’e di se qysh a kanë puna, po nashta ishalla, nuk t’kanë ra?!
– Jo, jo, ra bash jo veç, m’vodhën, banë hajgare e m’u ngërmun koxha shumë…! Qi me e pasë pasë nej bume, s’e kisha lanë pa jau qitë të treve, sa kenë, e me e ditë qi krali m’kish vjerrë ere për guhe, po, isha durthatë, he m’u thafshin ishalla…!”
– Sabër, bre babë! Ata tre e ti njo e ata, po thamë, ma t’ri e me pushkë e ti pa armë, kurrfarë marre nuk po t’raka, beli-vallha!
– O, i kisha ble ka ni simit për kejt familinë ka njo, e u nala te ni qeshme përtej Kolloleqit, thashë ta pi do ujë, të pushoj ere unë ere kali, e sa isha tue e hangër atë simitin tem, se kah erdhën, sikur kur bijnë pej dhevit tre xhanarë, e m’i hallakatën duqit e i gjetën ata tjerët simita, i morrën e t’i shkafnjuen si do qenë zangoça, e boll ju thash se – janë të mitë, ata veç m’bërtitën, demek hipi kalit e baj bishtin! E unë s’pata shka me ba, po i hipa kalit e u nisa kah Dygidelli përpjetë, me shtatqin dreqën, larg ksaj shpije!
– Hajt, o babë, se nuk jemi na t’simitave, e xhanarët mo, janë prosnjakë. Mos t’jetë marak për atë punë se herën e parë qi bie n’shehër, kam me i ble 16 simita, për kejt ropt, e le ta hjekin marakin…!
– More, o djalem, nuk e kam te tamahqarllaki, po te ata xhanar shkije, qi demek po mujkan me ta nal ere kashatën n’fyt, a?! Paj, pasha din e iman, nuk rri ma ner kam t’tyne, po pa u shit me ka kejt e me ia majtë atje kah Turqnija, s’e la, m’ngut ju e s’um ngutë. Jo, bre se janë do sene qi njeri nuk muj i “përbinë”…!” – u zbraz Babgjyshi, aty ulur në bari të baçes, sa kish ardh prej Ngillanit.
– O babë, n’koftë e shkrume me e pi ujët e Anadollit, çare nuk është pa e pi, e mos koftë kysmet, na asgja nuk mun bajmë! Po, hajde shkojmë n’odë se u “thave” ktu në bahçe! – dhe i ndihmoi babait të tij të çohet e drejtohet e, masi e rahatoi kalin aty në bari të bahçes, bashkë u nisën kah oda. E kur u rahatuan mirë n’odë, babai e pyeti:
– Po atje n’Ngillan, qysh e kapërce, e qysh i kishim hallën e ata nipa, të Rukocëve e të K.?
– Paj, s’pe di se shka me t’thanë o bir. Ti mo po e din: Rukoctë janë e janë kanë han e dan shpi e kanme, e sa për K, e di ere ti ma mirë se unë që s’i kanë puntë kurrqysh. Kaq për mos me e xgatë e me e “tjerrë” ma gat. Selam kije shum pej Beqës e Shabanit, e pej hallës! Po Rama e Ramizi ku tek janë?
– Ramën e thirrën Dalipovit se kishin kosaqë sod e Ramizi, me gerr hala asht te Ahmetovit, me jau knue nifar letre qi ju kish ardh pej dikah (se tybe, as vetë n’e dita pej kahit, tha!). Po, a je untë, se ke ba ni udhë t’gatë? T’iu tham grave ta bajnë sahora ni trohë bukë?
– Jo, jo biro nuk jam untë, e tashti do t’ia baj vetes ni kafe e nashta ma kfjellë ere menen ere trupin!
– Ta pjeki sahora, unë, o babë?
– Jo, o Nel, jo, se kafja asht teraçillak, e nuk mun ma qillon as me kafe e as me shiqer…
– Ani, ani, qysh t’dush ti, o babë, e mas kafes, bjer e pusho e flej pak, se koke lodhë e sekëlldisë udhës, se unë po dal teri te Rrahmani se e shoqja Ymja, qe sa m’u ka lut, me ia nreq ni derë qi nuk po iu mshelka mirë!
– Ani, djalem, kqyrni ju puntë e juve!
– Mirë meç, o babë, se po metesh vetë, po për her nejse, lshojau ni za grave, e të gjinën! – dhe doli…
Bagjyshi e pjeki ni kafe n’oxhak ku nuk shukej zjarri verë-dimër, qe ky këtu, o nuk qe. Pasi e piu me do hurpe të gjata, u mbështet për jastëku dhe, sapo e vuri kokën në të e kaploi një gjumë i rëndë e i thellë…
E Babë Zeneli, masi i morri me vete do alete, u nis kah Rrahmani i Jahirit të Rrahman Demës, t’ia shihte atë derë që nuk po iu mbyllka si duhet. I gjeti fill Axhën-Rrahman e Dadën Ymë. Masi u përshëndetën, e Dada Ymë e gostiti me një gotë t’llallë (dhalltë), dhe pasi i pyeti se si po ia kapërcenin grua e burrë me disa çika me do gra, me të cilat, vetë Dada Ymë e nxiste që të rimartohej për të satën herë, meqë vetë asnjëherë nuk ishte kismet që t’i lindë ndonjë fëmijë, shkaku i trashëgimtarit të gjithë asaj pasurie tokësore me të cilën posedonin. E ata iu përgjigjen që mezi po i vijnë rreth gjithë atyre arave, livadheve, maleve, kafshëve të trasha e veçmas atyre të imtave, që nuk jua dinin numrin (dhenëve, dhive, qengjave e kecave)… Axha Rrahman, po e pyeste për të gjithë e veçmas për Babgjysh Demirin:
– Paj, o Rrahman, tybe mirë ashtë, ka dashtë Zoti. U kanë nja dy-tri ditë ere poshtë Nglillan te nipat Rukoctë e K., e veç sa erdhi pak ma para, vetë i shtatqinti, se e kishin zatetë nja tre xhanarë t’shkavit diku udhës, e ia kishin marrë me zor nja 14-15 simita qi i kish pasë ble ka nja për secillin familjarë, e ky durthatë e ata me pushka, e ish ngushtue kaq shumë, saqë, qysh ma qiti fjalën, tybe e kish menën mos me nejtë ma ktu “ner kamë t’shkavit”, po me e marrë udhën e Turkisë, e hiç s’e di se shka bahet…! – foli si me ankesë, babë Zeneli.
– Mo, bre! Auuuuh! Paj, pasha Zotin, qysh e njoh unë, kur ta ban menën qykë për nej punë, nuk ka bir nane qi munet me ia thye…!!! Pasha Zotin e paska menën me na e thye ni krah, he atij i dalshin mentë!… Na kejt Malësia po munemi me i durue ere kta xhanartë e shkavit, e veç ai nuk po mujka. 15 simita, punë e madhe, xhanar t’kralit mo…!! – rrëshmoi Axha Rrahman, e babë Zeneli veç i rrudhi krahët:
– E mramja me hajër ishalla! – tha, dhe iu kthye Dadës-Ymë:
– Cilla derë asht, oj matoshkë?
– Qe, qikjo e çilerit, valla, o Zenel-Aga! – dhe u drejtuan andej, e Babë Zebelit qi i shkojshin këto zanatet me dru e me gurë, me aletet qi i kish me veti, ia drejtoi, e tashti dera po hapej e mbyllej lirshëm.
– O shka paski hjek me kit derë t’çilerit, o Rrahman, e ju paska pasë lanë ju dyve muhasere, se….? – foli me pretekst Babë Zeneli.
– Hajt, more “pusht”, e mos ma çaj kryet tashti me llokopendra. Valla n’i gafsh veç pak babë-Demirit “n’do punë”, s’jetë pa u ngushtue diku se ai, nam, ka pasë pshtue let, se sa e sa herë ashtë “zanë me pelë për dore…”, kur u kanë ma i ri… – foli po me pretekst Axha-Rrahman…
– Hë de, se veç u mahita, po jeni ba tantë si tel çitelie, pasha Zotin! – ia kthei Babë-Zeneli qetë Axhës Rrahman e të cillit ia “çonte ragbetin shumë”!
– Hajt-hajt, se me “bisht” i pate do llafe, e s’i kam rrotue badihava gjithë kto vjet unë, o i biri i Demirit…! – i foli pokaq butë edhe Axha Rrahman.
– Izën! – o Rrahman, se shkova, e mos po i vyj dishka ati “butazelit”…!
– Pej Zotit e pej meje, o Zenel, e selam kejtve bytym!
– T’lumshin durtë, o Zenel-Aga se ma ka pasë pru shpirtin n’fyt ajo derë!
Selam grave!
-Aleqym selam, e doknu!
– O, vimë, vimë, po a pe e sheh, nuk po na lanë puntë me çue krye! – foli Dada-Ymë, e babë Zeneli i ra zallinave e ia dha teposhtë kah Sadikovit e Prronit të Zeqirit e drejt e n’shpi.
(Demirovitët: fillimi i rrëfimit, ngjarja para rrëfimeve të botuara më herët, e shkruar në fund të vitit 2021)

