Siguria në Gjilan mbetet e kënaqshme, por pandemia ka rënduar jetën e qytetarëve

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi e ka vlerësuar të qetë gjendjen e sigurisë në komunën e Gjilanit, por është shprehur i shqetësuar sa i përket rritjes së rasteve të dhunës në familje në këtë kohë pandemie.

Majori Alban Ramushi, komandant i Stacionit Policor në Gjilan, ka thënë se 2020 ishte vit i sfidave për ne, sikurse në gjithë botën, shkaku i pandemisë, ku policia është dashur të fokusohet në zbatimin e masave  anti-Covid.

Përndryshe, gjatë vitit 2020, ka pasur një rënie të dukshme të veprave penale, të cilat janë rezultat edhe i izolimit dhe orës policore, përveç dhunës në familje, ku ka pasur një rritje të rasteve, gjë që është për keqardhje, ka thënë Ramushi.

Sipas analizës së policisë, në shumicën e rasteve të dhunës në familje bëhet fjalë për recidivistë.

Përndryshe, sipas majorit Ramushi, Gjilani është një qytet i sigurte, për çka ai adresoi merita te qytetarët.

“Gjilani është qytet i sigurte falë qytetarëve dhe bashkëpunimit me ta”, ka thënë Ramushi.

Ndërkaq sa i përket gjendjes së pandemisë, Ramushi ka thënë se momentalisht janë të spitalizuar 24 raste, kurse deri tani kanë ndërruar jetë 107 persona nga numri prej 3.445 të infektuarve.

Nazife Jonuzi, anëtare e KKSB ka thënë se ajo që shqetëson, është dhuna në familje dhe kjo tregon se pandemia ka pasur ndikim të madh edhe në shëndetin mendor.

“Nëse ka rritje të rasteve të dhunës në familje, atëherë duhet hulumtuar ku qëndron problemi që rastet po përsëriten, sepse diku puna nuk është bërë si duhet dhe me sa duket çalimi është te fakti se ne po merremi me pasojat, por jo me familjen”, ka thënë Jonuzi.

Sipas Shqipe Hazirit, situata e pandemisë imponon nevojën për shtimin e resurseve njerëzore dhe profesionale në institucionet që merren me këtë problematikë, aq më parë kur pritet një variant tjetër i virusit Covid 19.

Për më tepër, Haziri ka thënë se Kuvendi Komunal duhet t`i diskutojë në një pikë të veçantë problemet sociale dhe mendore në shkolla dhe në shoqëri, në përgjithësi.

Drita Kallaba ngriti problemin e trajtimit të fëmijëve me probleme mendore në shkolla dhe familjeve të tyre si dhe bashkëpunimin me Qendrën për Punë Sociale, që sipas saj, nuk është i mjaftueshëm, gjë që, siç tha Nexhat Hajrullahu nga Drejtoria e Arsimit, kjo ndodhë për shkak të mungesës së stafit të mjaftueshëm.

Përndryshe, kryesuesi i KKSB-së, Halit Rexhepi, ka thënë se pandemia na ka vënë në situatë të pa lakmueshme gjë që i ka detyruar të gjitha organet dhe institucionet të tërhiqen nga punët e tyre primare.

Njëherësh pandemia ka shkaktuar një gjendje të rëndë shëndetësore dhe ekonomike dhe tani kësaj i shtohet edhe gjendja politike me fushatën për zgjedhjet nacionale, gjë që të gjitha këto po e rëndojnë jetën e qytetarëve.

Ai ka kërkuar që qytetarët të ndryshojnë mentalitetin e kaluar ndaj policisë dhe të rrisin bashkëpunimin me këtë strukturë të sigurisë.

“Ne si qytetarë duhet të jemi bashkëpunues me policinë në raportimin e rasteve, sepse aty ku është policia, është siguria dhe jo frika”, ka thënë Rexhepi.

Sa i përket dhunës në familje, Rexhepi ka thënë se nëse ka rritje të rasteve, atëherë është e qartë se mekanizmi ka çaluar diku dhe duhet të shikohet ky është problemi.

“Nëse kërkojmë më shumë punë nga organet, kjo nuk do të thotë se ne jemi kundër tyre”, ka thënë Rexhepi.