Sinani e cilëson Riza Halimin protagonist kryesor politik në Luginë

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani e ka cilësuar Riza Halimin protagonist kryesor të proceseve në Luginë.

‘Është kryetari im i parë. Ai që më krijoi hapësirë, më ndihmoi dhe më mbështeti politikisht’, ka thënë Sinani.

Por Riza Halimi është para së gjithash themeluesi i partisë së parë politike shqiptare në Luginën e Preshevës, duke ju bashkuar kështu liderëve të tjerë të parë shqiptarë dhe rajonalë të sistemit pluralist.

Ish-kryetar Komune, ish-deputet popullor dhe protagonisti kryesor politik i Luginës së Preshevës, përgjatë regjimit shovenist të Sllobodan Millosheviqit dhe në vitet pas rënies së tij.

Hartues dhe zbatues i orientimeve themelore e thelbësore të politikës shqiptare të Luginës së Preshevës përgjatë më se dy dekadave, bashkorganizator i Referendumit të 1 dhe 2 marsit 1992, ai barti mbi supe rezistencën institucionale e partiake, duke qenë edhe përkrahës dhe partner i rezistencës së armatosur të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Me formim arsimor nga fusha e shkencave fizike, Riza Halimi përgjatë gjithë veprimtarisë së tij ka qenë para së gjithash qenie politike në funksion të kombit, shoqërisë, qytetarit dhe dinjitetit njerëzor.

Sot në pension të merituar; ai e vizitoi kabinetin tonë, së bashku me bashkëshorten e tij, zonjën Sevdije, për t’i shprehur urimet e tyre për një qeverisje të mirë dhe reformatore, ka shkruar Sinani, pas një pritje që organizoi për Halimin dhe bashkëshorten e tij.