“S’ka dinarë” në komunat me shumicë serbe

Mjediset me shumicë serbe në Kosovë po mbeten pa dinarë.

Kështu së paku thonë disa qytetarë në jug dhe në veri të Lumit Ibër, të cilët provuan të tërheqin para nga llogaritë e tyre, të martën.

Institucionet, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, heshtin.

Mira nga Graçanica – komunë me shumicë serbe afër Prishtinës – nuk arriti të merrte ndihmën sociale dhe shtesat për fëmijë, sepse punonjësit në postë i thanë se nuk ka para.

Kjo zyrë postare punon nën sistemin e Serbisë dhe aty mund të tërhiqen të ardhura në dinarë, të cilat ndahen nga buxheti i Serbisë.

“Nuk kam marrë asgjë. Kam ardhur t’i marr [të ardhurat], por nuk m’i kanë dhënë. Çfarë të bëj tani?”, thotë Mira për Radion Evropa e Lirë dhe tregon se jetesa e familjes së saj varet prej këtyre parave.

Ndihma sociale nga sistemi serb arrin në rreth 11 mijë dinarë, ose 100 euro për një anëtar të familjes.

Mira thotë se nuk merr asnjë kompensim financiar nga buxheti i Kosovës dhe shpreson që çështja e përdorimit të dinarit në Kosovë të zgjidhet së shpejti.

Mungesa e dinarëve në Graçanicë ndodh pasi autoritetet e Kosovës, më 13 shkurt, ndaluan për herë të dytë hyrjen e tyre, me arsyetimin se për këtë çështje vendos Banka Qendrore e Kosovës (BQK).

Përndryshe, më 1 shkurt hyri në fuqi rregullorja e BQK-së, e cila përcakton se euroja është valuta e vetme për pagesat me para të gatshme në Kosovë dhe për transaksionet e pagesave.

Me këtë rregullore është ndaluar edhe dinari serb, i cili deri më tash ka qarkulluar në mjediset me shumicë serbe në Kosovë, sepse qytetarët serbë, në këtë valutë, kanë pranuar pagesa të ndryshme nga buxheti i Serbisë: rroga, pensione, ndihmë sociale, shtesa për fëmijë e të tjera.

Punëtorët e postës në Mitrovicë të Veriut u thonë po ashtu klientëve të tyre se nuk kanë para për pagesa, konfirmon për Radion Evropa e Lirë Radmilla, një tjetër përfituese e ndihmës sociale nga sistemi i Serbisë.

Megjithatë, ajo arriti t’i tërhiqte paratë nga Kursimorja e Postës e Serbisë, e cila gjithashtu funksionon nën sistemin serb dhe, aktualisht, është banka e vetme në Kosovë që operon me dinarë./rel