S`ka ende marrëveshje, veriu mbetet i bllokuar
Rrugët drejt pikave kufitare Kosovë-Serbi, në Jarinjë dhe Bërnjak, po vazhdojnë të jenë të bllokuara tash e 11 ditë.
Të mërkurën, Prishtina dhe Beogradi kanë zhvilluar bisedime me të dërguarin e BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje të krizës.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se është arritur një draft marrëveshje, por pala serbe ende nuk e ka dhënë pëlqimin.
Nga BE-ja i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se negociatat do të vazhdojnë edhe të enjten. Deri tani nuk ka marrëveshje.
Në Kosovë, po kritikohet marrëveshja e propozuar nga Bislimi, pasi ajo rikthen në veri gjendjen e para disa viteve, që nënkupton një kthim prapa në kontrollimin e sovranitetit.

