“S’ka kusherinj të mi në institucione” – Kurti harron punësimin e xhaxhait të Konjufcës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka sulmuar ashpër Prokurorinë e Shtetit sot në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Ai ka thënë se Prokuroria dhe Gjykata në Kosovë nuk e kryejnë punën e tyre, sepse sipas tij Republika e Kosovës ka elemente të shtetit të kapur.

“Natyrisht që prokuroria do të duhej të merret me krimet, por çka të bëjmë kur s’po merret. Ne duam shtet të së drejtët. Prokuroria duhet t’i gjurmojë, hetojë dhe ngritë aktakuza për kriminelë, por s’po e bën. Sepse diagnoza ka qenë e qartë, Republika e Kosovës ka elemente të shtetit të kapur, prandaj s’po punon prokuroria. Në Kosovë ka njerëz që paguhen, që të rrijnë, që të jenë pasiv. Na nevojitet prokurori efektive dhe gjyqësor efikas, dhe asnjërën s’e kemi”, tha Kurti.

Kurti gjatë fjalimit të tij iu përgjigj edhe akuzave të opozitës se po u cenohet liria e fjalës.

“Ne duam ta ndalim hajninë, jo fjalën. Ne kemi ardhë në qeverisje për ta ndalë hajninë e jo fjalën e lirë. Folni sa të doni, seanca shpesh sa të mundni, s’ka kurrfarë problemi. Është interesante se qysh njerëzit që vazhdimisht e marrin fjalën, ankohen se s’po ka liri të fjalës. Ai që s’ka liri të fjalës, ai s’mund të flasë. S’po e di ai person a po e nin veten qysh po e nijmë na”, tha Kurti.

Kryeministri përmendi edhe punësimet familjare. Tha se s’ka kushërinj të tij nëpër institucione, por harroi se në të njëjtat është punësuar xhaxhai i Konjufcës.

“S’ka kusheri të mij nëpër institucione. Është vetëm një me mbiemrin Kurti”, tha ia.

Kur, Kurti e përmendi këtë, dikush nga deputetët e opozitës ia përmendi pikërisht emërimin e xhaxhait të Konjufcës.