Skenografia fantastike e “Flakës…” e ka emrin Bekim Korça
Manifestimi “Flaka e Janarit 2020”, i cili sivjet shënoi edicionin e 29-të, nga profesionistët është vlerësuar si ndër më të mirët që është organizuar ndonjëherë, në katër fushat.
Në veçanti, ajo që e ka karakterizuar manifestimin e sivjetmë ka qenë skenografia fantastike, e realizuar nga mjeshtri, Bekim Korça.
Në një prononcim për Mediafokus.info, skenografi Korça thotë se bashkëpunimi shumë i mirë me përgjegjësit e të gjitha shtyllave, e ka ndihmuar tejmase për të ndërtuar edhe më shumë konceptin për këto skenografi të këtij edicioni të Flakes.
Konceptit të këtyre veprave skenike, sipas tij, i ka ndihmuar edhe diversiteti mes gjeneratash që e ndjekin këtë manifestim.
“Tendenca për prurje të reja në fushën e arteve vizuele dhe eksperimentimi e hulumtimi konstant, është rezultat edhe i këtyre veprave skenike, me të cilat unë jam prezantuar në këtë edicion te Flakes Janarit 2020. Është një diversitet shumë interesant mes gjeneratash, andaj kthimi në kohë herë pas here, në kuptimin tradicional, na bënë mirë, besoj unë, sepse gjeneratat e reja duhet të konsumojnë edhe diçka nga tradita”, thotë Korça për Mediafokus.info.
Skenografi i njohur gjilanas po ndjehet mirë që ia ka arritur qëllimit – të zgjojë dilema e debate tek publiku.
“Unë besoj që krijimet artistike të cilat zgjojnë dilema dhe debate, arrijnë efektin pozitiv, si qëllim konstant i imi në proceset krijuese. Për ta dërguar edhe më tej si përfundim, e gjitha kjo për të lënë të hapur dilemat, diskutimet dhe interpretimet ashtu si do audienca”, ka nënvizuar Korça.
Për suksesin në fushën e skenografisë, Bekim Korça nuk e mbyll pa falënderime.
“I falënderoj të gjithë pa dallime për besimin dhe përkrahjen. Ndjenjë shumë e mirë sa i përket hapësirës së veprimit dhe krijimit, të cilën ma ofruan të gjithë pa dallime, duke filluar nga Zyra e Kryetarit, DKRS e Teatri i Qytetit. Jam shumë i nderuar me vlerësimin e lartë për punën time”, ka përfunduar skenografi i “Flakës së Janarit 2020”, Bekim Korça.
Ndryshe, me festivalin e muzikës popullore shqipe “Fest Flaka”, është përmbyllë në mbrëmje manifestimi maratonik, i cili zgjati tri javë./MediaFokus/


