Mjekët e QKUK-së dhe të Turqisë ia shpëtojnë njërin sy policit Mrasori

Fal intervenimit të parë që u krye në Klinikën e Syve në QKUK, dhe operacionit të dytë në Turqi, polici Artur Mrasori i cili u plagos në incidentin e Zhurit të paktën do të shoh me njërin sy.

Suksesi i operacionit të dytë nga mjekët turq është konfirmuar nga drejtori i SHSKUK-së Dr. Basri Sejdiu. “Mund të konfirmoj se operacioni është kryer”, ka konfirmuar Sejdiu.

Deri më tash nuk ka detaje të tjera përveç se dihet që operacioni ka zgjatur disa orë. “Aktualisht nuk kemi detaje të tjera, por dimë se operacioni është kryer me sukses dhe ka zgjatur disa orë”, ka thënë Sejdiu për Express.

Oftalmologu Dr. Florim Zejnullahu i cili e ka trajtuar Mrasorin në natën kritike, ka thënë se është bërë e pamundura që t’i jepet shans një operacioni të dytë në mënyrë që të shpëtohej syri.

“Uroj që pas intervenimit të parē kirurgjik emergjent në syrin e majtë, i kryer në Klinikën Syve në Prishtinë, policit Artur Mrasori t’i kthehet shikimi! Ne kemi bere te pamunduren qe t’i japim rast qe me intervenimin e dyte, i cili nuk mundej te kryhej ne kliniken tone, atij t’i mundesojme qe ta shohë sërish dritën. Dhashtë Zoti, që t’i ndihmojë djaloshit që ta vazhdojë jetën normalisht!”, ka shkruar Zejnullahu në Facebook.

Kujtojmë se nga incidenti në Zhur të Prizrenit, një polic ka vdekur, e dy të tjerë janë lënduar gjatë një aksioni që mori Policia e Kosovës. /Gazeta Shneta/