Sonte Kosova përballet me Suedinë

Kombëtarja e Kosovës në futboll rikthehet sonte në fushë ku do të përballet me Suedinë, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Pavarësisht disfatës nga Zvicra (4:0), atmosfera në taborin e kombëtares sonë mbetet e mirë dhe premtuese për një paraqitje dinjitoze ndaj Suedisë.

Kosova nuk mund të llogarisë në Edon Zhegrovën, Milot Rashicën dhe Amir Rrahmanin. Ky i fundit u lëndua në ballafaqimin me Zvicrën.

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, në konferencën e fundit për shtyp, është shprehur i bindur se skuadra do të luajë më mirë se ndaj Zvicrës.

“Ne kemi analizuar të gjitha gabimet në ndeshjen me Zvicrën. Jemi të vetëdijshëm që Zvicra është një kombëtare e fortë. Nuk kemi mundur ta zbatojmë lojën tonë në atë ndeshje, por në pjesën e dytë kemi luajtur më mirë. Jam i bindur që kundër Suedisë do të luajmë shumë më mirë. Jemi në shtëpi dhe do të përpiqemi t’i kënaqim shikuesit, sikurse në ndeshjet e kaluara që i kemi fituar. Ne e kemi analizuar edhe ndeshjen e Suedisë, është një skuadër shumë e mirë, me lojtarë cilësorë. Është e qartë që Suedia është favorite, por për mua është e rëndësishme që ne të bëjmë një tjetër ndeshje”, ka thënë Foda.

Ndeshja mes Kosovës dhe Suedisë fillon në orën 20:45.