Sot jemi të gjithë të barabartë, të pasur e të varfër, të pafuqishëm njësoj përballë virusit

ERMIRA JERLIU

Asnjëherë nuk ia dimë vlerën një momenti, derisa ky moment kthehet në një kujtim.

Ishim aq të “mbingopur” me jetën sociale, sa vetëm tani në këtë krizë globale që ka pushtuar botën, tani që po na privohet vetë liria, po e kuptojmë vërtet shprehjen që përmenda pak më sipër.

Disa javë më parë, kur dilnim lirshëm, kur pinin kafe pa u brengosur se virusi ishte larg, kjo na bënte të qetë pabesueshëm ndaj tij, ndërsa sot që jemi afër tij, aq afër sa mund të na “përqafojë” nga momenti në moment, ato kohë na duken si kohë të arta.

Është koha kur kemi frikë të teshtijmë, kur kemi dyshim për çdo person që takojmë nga afër, kur të gjitha sendet dhe objektet që prekin, na duken më keq se armët bërthamore, duket se na përndjek kudo; vetëm pse ne se shohim çdo vend i mbingarkuar i pa sterilizuar, se aty lulëzon virusi tek papastërtia, tek moskujdesi.

Sot do të kishim dhënë gjithçka që mos të gjendeshim të  kërcënuar nga ky virus, por praktikisht duket se jemi vonë.

Në fakt, duket paradoksale, por në këtë fillim pranvere, ku gjithçka duhet të lulëzonte, të gjithë e presim pranverën si rilindje, gjallëri, nga një dimër i lodhur dhe i gjatë, kur mezi presim gjelbërimin të shijojmë më tepër ditën e zgjatur…

Pranvera erdhi, por këtë herë erdhi ndryshe, nuk ishte as vet e përgatitur nga “mysafiri i paftuar” i ashtuquajtur “Koronavirus”.

Akoma më alarmante këtë fenomen e bën përdorimi i maskave, kur deri dje këto maska përdoreshin vetëm nga mjekët.

Janë pikërisht këto maska që e bëjnë situatën më dramatike, që na bëjnë të hapim sytë e të shohim se kjo që po ndodhë, është e vërtetë dhe se nuk jemi në një film, por në një realitet të hidhur që e ka gjetur botën të papërgatitur.

Kufijtë e mbyllur, aeroportet e zbrazëta – kjo është pamje e trisht, kur duket se karma funksionon si për “inat” të njerëzve, ndërsa kafshët shëtitën të lira.

Ne që gjithmonë mundohemi me i izolua, sot jemi ne njerëzit që vetizolohemi dhe futemi në karantinë. Ironi e fatit. Eh, jo gjithmonë mysafirët janë të mirëpritur, siç ishte ky virus mysafir i padëshiruar dhe është bërë tashmë armiku i përbashkët i të gjithë botës.

Kryefjala e ditës është ky virus, i cili në pamje të parë është i padukshëm, por është kaq i frikshëm dhe i shpejtë saqë na bënë të gjithëve të gjunjëzuar para tij.

Po ne jemi në luftë me një armik të padukshëm që mund ta takojmë kudo, në çdo vend ku më përpara shijonim kafen e mëngjesit, në çdo vend ku mblidheshim me njeri-tjetrin, kishim një jetë sociale që na bënte të ndiheshim të lirë.

Por ky “virus” është aty në pritje, i qetë, i gatshëm për të na treguar që jetën nuk e kemi ne gjithmonë në dorë, për të na treguar edhe njëherë se sa të brishtë jemi ne njerëzit përballë çdo rreziku edhe pandemie që mund të shfaqet.

Deri dje ecje në rrugë, merrje frymë lirshëm, ndërsa sot rrugët u ngjajnë një shkretëtire, qyteti duket i zymtë, parqeve të lojërave i mungon atmosfera e zhurmave e fëmijëve të gëzuar.

Edhe pse në fillim, siç jemi ne njerëzit e morëm shumë lehtë, thjesht si një grip?! Nëse do të ishte vetëm një grip s`do kishte kaq shumë jetë të humbura, s`do ndiheshin kaq të frikësuar mosha e tretë, gjyshërit tanë, ata që duken me imunitet më të dobët.

Në gjithë këtë situatë krize, ka dy grupe njerëzish, ata që bëjnë panik dhe që mendojnë se gjithçka po shkon drejt fundit dhe, një grup tjetër që e kanë marrë më shumë si shaka apo publicitet të mediave, apo bizneseve për të fituar më tepër?

Gjithsesi, të dy grupet duken ekstremiste. Të pakët janë ata që janë me këmbë në tokë dhe nuk bëjnë panik, por tregojnë më shumë kujdes.

Sikur të ishte vetëm një grip, sikur të gjithë të ishim në një ëndërr?

Si mund t`iu shpjegohet fëmijëve kur të pyesin pse nuk kam të drejtë të luaj, kur loja dhe naiviteti i dallon nga ne të rriturit; është kjo frika që nuk ma lë të qetë. Më shumë po na vret paniku se sa vet virusi.

Dhe në mes të këtyre pikëpyetjeve, një ndikim kanë edhe shumë pseudo portale që kanë pasion panikun, që ushqejnë publikun me lajme, që vetëm lajme s`janë, që në vend të informatave të vërteta, dezinformojnë??

Jemi në dilemë dhe të paaftë për të ditur se kush po e thotë të vërtetën?!

Por pyetja që i bëjmë të gjithë vetes, është deri sa do të zgjas e gjithë kjo, deri kur do të ketë  një zgjidhje?

Por, edhe nëse gjendet zgjidhja, nuk duhet të harrojmë kurrë mësimin që na dha ky “virus” se shëndeti është pasuria më e madhe në botë, se sot jemi të gjithë të barabartë, të pafuqishëm njësoj, i pasur dhe i varfër, se sot më shumë se kurrë duhet të dimë të vlerësojmë jetën normale, aktivitetet e përditshme, mbi të gjitha lirinë.

Në këtë aspekt, ky virus pati edhe një qëllim sensibilizues.

Duke uruar që kjo situatë të kalojë sa më shpejt e të ngelet një kujtim që do të ma bëjë më të fortë, që kur ta takojmë njeri-tjetrin në sy të flasim pa interes, të kuptojmë që pasuria më e madhe, nuk është vetëm ajo materiale, por është ajo të jetosh shëndetshëm dhe në paqe me të tjerët, të dimë të vlerësojmë gjerat më esenciale, sepse kishim harruar që gjëja më e rëndësishme është vetë jeta.