Deputetja e LVV-së kritikon kolegët e saj që shkojnë nëpër spitale sa për të bërë foto

Deputetja e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni ka kritikuar kolegët e saj deputetë që po shkojnë nëpër spitale sa për të bërë foto, në vend se t`i respektojnë masat e emergjencës shëndetësore.

Qendrat Emergjente iu bëjnë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë linjën telefonike të emergjencave, për aq sa munden dhe ambientet e spitalit t`i lënë vetëm për raste vërtetë serioze dhe emergjente.

Kjo është masë parandaluese! Sepse sa më shumë ekspozohemi në emergjenca sot, aq më e madhe mund të jetë mundësia e përhapjes së virusit.

Në këtë foto, shohim një “mjek” dhe një “mësuese”, që kanë hyrë brenda spitalit të Gjakovës, sa për ta shfrytëzuar rastin për ta bërë një foto.

Është mirë këta me tregua kur e kanë vizituar spitalin për herë të fundit dhe pse nuk i respektojnë masat që po i respektojnë pothuajse të gjithë qytetarët e Republikës sot.

Rrini në shtëpi! Nuk shfrytëzohen këto situata për pikë politike, se me gjasë hupët shumë prej tyre sot, ka thënë ajo në një postim në profilin e saj.

Ndërkohë edhe Spitali i Gjakovës ka kërkuar nga klasa politike, që për shkak të situatës emergjente, të qëndrojë sa më larg institucioneve shëndetësore.

“Nuk kemi nevojë për vizitat tuaja boshe, mos ejani për foto, mos na shpenzoni maska dhe mantele kot…”, thuhet në reagimin e Spitalit.

Këtyre ditëve kemi parë edhe deputetë të tjerë që kanë postuar foto me mantelbardhë e mantelkaltër, madje foto që nuk përkojnë aspak me gjendjen e tashme./mediafokus.info