Sot përfundon masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese
Sot përfundon masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese, e cila që nga 5 shtatori ka pezulluar të gjitha veprimet dhe vendimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke përfshirë edhe procedurat për formimin e Qeverisë.
Kjo u bë për të evituar rreziqe apo dëme të pariparueshme që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërore dhe nxjerrjen e vendimeve në kundërshtim me Kushtetutën.
Për më tepër, Gjykata vlerësonte se, në kuptim të përcaktimeve të Ligjit, ekzistojnë rrethana të “interesit publik” e që përfshijnë ruajtjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Kjo masë ishte ndërmarrë pas ankesës së paraqitur nga Lista Serbe, e cila kontestoi mënyrën e zhvillimit të seancës konstituive të Kuvendit.
Ndërkaq, Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), i tha Betimit për Drejtësi se nuk përjashtohet mundësia që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, përmes një standardi të jashtëzakonshëm nga Gjykata Kushtetuese.

