Sot pritet heqja e orës policore

Kryetarët e komunave të Kosovës do të takohen sot me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, ku do t’ia paraqesin kërkesat e tyre për largimin e orës policore dhe masave të tjera pandemike që aktualisht janë në fuqi.

Në këtë takim do të diskutohet edhe plani i vaksinimit dhe gjendja e përgjithshme pandemike në Kosovë.

Takimi virtual i Vitisë me krerët e komunave të vendit do të mbahet në orën 10:00.

Ndryshe, Oda e Hotelerisë dhe Turizimit ka paralajmëruar se do të ketë lirim të masave gjatë kësaj jave.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, OHT’ja ka bërë me dije se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, iu ka kërkuar kohë deri të mërkurën për të vendosur për lirimin e masave.

Ata kanë treguar se në takimin e mbajtur të martën me ministrin e Shëndetësisë, kanë përfshirë kërkesat e të gjitha sektorëve që përfaqëson Oda e Hotelerisë dhe Turizmit si sallat e dasmave, pishinat, estradë, dekore, dhe të gjitha sektorët tjera, e që sipas tyre takimi ka qenë në favor të tyre dhe pritet të lirohen masat që nga data 26 maj.

“Z. Vitia ka kërkuar t’i jepet kohë deri me 26.5.2021 në ora 16:30, sepse sipas tij ishte duke pritur disa rezultate të hulumtimeve që janë duke u bërë në terren, dhe kjo ishte arsyeja që akoma nuk po marrin një vendim për lirimin e masave ndaj sektorëve që akoma qëndrojnë mbyllur”, thuhet në komunikatën e tyre.