Sot varroset Engjëll Smërçaku, Gjilani në dhembje

Sot në Gjilan varroset 19-vjeçari Engjëll Smërçaku, i cili vdiq parmbrëmë, pasi u therrë me thikë në hyrje të banesës, në lagjen Iliria.

Familja e tij kanë njoftuar se varrimi i Engjëllit bëhet më 24.10.2020, me namaz të Ikindisë, në varrezat e qytetit në Gjilan dhe funerali niset nga shtëpia e të ndjerit.

Vrasje e këtij të riu ka shkaktuar dhembje gjithandej në Gjilan, ndërkohë që autori i krimit nuk dihet ende, meqë rasti ka ndodhur rreth mesnatës.

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, përmes një njoftimi, ka bërë me dije se, në bashkëpunim me policinë, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për të zbardhur rastin.

I ndjeri E.S., fillimisht ishte dërguar për ndihmë mjekësore, në Emergjencën e Spitalit Regjional, në Gjilan dhe pastaj ishte transferuar në QKUK në Prishtinë, ku ka ndërruar jetë nga plagët.

‘Lidhur me këtë çështje prokuroria në bashkëpunim me policinë janë duke ndërmarrë veprime hetimore, të cilat përfshijnë edhe intervistimin e familjarëve të të ndjerit dhe dëshmitarëve tjerë, me qëllim të ndriçimit të kësaj çështje penale’, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.