Sqarohet Presidentja: Nuk ka pasur kontratë me William Walker

Në lidhje me disa shkrime rreth shkëputjes së kontratës së Presidencës me ish-ambasadorin William Walker, para pak çastesh ka dhënë një sqarim presidentja Vjosa Osmani, e cila mohon të jetë shkëputur kontrata. Për më tepër, ajo shton se nuk ka pasur kontratë me z. Walker, por me fondacionin Walker, që udhëhiqet nga Hasan Salihu.

Postimi i plotë

E pabesueshme se deri në çfarë niveli të ulët shkojnë dezinformatat lidhur me ngjarje publike në vendin tonë. Për shembull, sot thuhet se unë kam “shkëputur kontratën me z. William Walker”. E vërteta është se kontrata nuk është shkëputur por skadon këtë muaj, sipas afateve të parapara në vetë këtë kontratë.

Po ashtu nuk ka pasur asnjëherë kontratë me personalisht z. William Walker. Ka pasur një kontratë me fondacionin e udhëhequr nga drejtori ekzekutiv z. Hasan Salihu, i cili mbanë emrin Fondacioni Walker.

Presidenca është njoftuar nga Fondacioni, në një takim zyrtar në presidencë më 17.11.2020, që asnjë cent nga kjo pagesë nuk i dërgohet personalisht z. William Walker.

Në njoftimin zyrtar, dërguar këtij fondacioni, me datën 1 dhjetor, Presidenca ka shprehur gatishmërinë që të mbetet në kontakt me z. Walker personalisht dhe citoj: “PËR TË PARË MUNDËSINË E BASHKËPUNIMIT EDHE MË KONKRET DHE MË TË AFËRT”.

Z. Salihu asnjëherë nuk është përgjigjur në këtë gatishmëri tonën. Poashtu, me qëllim që të shohim mundësitë e bashkëpunimit të mëtejmë, ne kemi kërkuar raportet e punës për përiudhën e deritanishme për të kuptuar natyrën e shërbimeve të ofruara.

ASNJË RAPORT NUK ËSHTË DORËZUAR dhe asnjë dokument pune lidhur me këtë kontratë nuk është gjendur në Presidencë. Ne kemi kërkuar raporte pune në veçanti për muajt nëntor e dhjetor, ashtu siç parashihet në nenin 6 të kontratës, por asgjë nuk është dërguar deri më tani.

Çdo mik i Kosovës do t’i ketë përherë dyert e hapura në institucionet tona, prandaj edhe siç kemi ofruar bashkëpunim deri tani do ta ofrojmë edhe tash e tutje. Ndërkaq çdo mënyrë e angazhimit do të bëhet vetëm e vetëm në përputhje me ligjin.

Të gjitha mediat që kanë shpifur, do të paditen!