SSHCK kundërshton në mënyrë kategorike uljen e pagave në sektorin publik

Sindikata e shërbyesve civilë të Kosovës, ka kundërshtuar ashpër paralajmërimet e qeverisë së vendit për uljen e pagave në sektorin publik.

“Ne konsiderojmë se një veprim, apo vendim i kësaj natyre cenon rëndë legjislacionin në fuqi dhe se është në kundërshtim me një të drejtë elementare, që është në grupin e të drejtave themelore universale të mbrojtur edhe me konventa ndërkombëtare”, thotë Mursel Zymberi, kryetar i Sindikatës së Shërbyesve Civilë të Kosovës, raporton mediafokus.info

Shërbyesit civilë janë në pritje të hyrjes në fuqi te ligjit të pagave, ku ne vlerësojmë se kjo kategori është diskriminuar, sepse nuk janë trajtuar barabarësish me kategoritë tjera të zyrtarëve publikë, ndërsa kryejnë shërbime të njëjta dhe kanë po ashtu kualifikim të njëjtë.

“Ne si sindikatë e shërbyesve civilë, edhe pse nuk jemi pajtuar me këtë ligj, presim që ai të hyjë në fuqi pas vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese dhe pastaj të kërkojmë në rrugë institucionale amandamentimin në Kuvend për pagat e kësaj kategorie”, ka thënë Zymberi, duke shtuar se kategorizimi nuk duhet të jetë nivelit qendror dhe lokal, por sipas vendit të punës.

Kuvendi i Kosovës tashmë ka aprovuar edhe buxhetin për këtë vit (2020) dhe se në atë buxhet janë të planifikuara edhe pagat e shërbyesve civilë dhe se me asnjë akt tjetër jashtë ligjit të aprovuar në Kuvend të Kosovës, nuk mund të ndryshohen pagat e shërbyesve civilë e aq më pak ato të zvogëlohen, me qëllimin që eventualisht ato mjete të kursyera të ri-destinohen për ndonjë agjendë tjetër qeveritare.

 “Ne i kërkojmë Ministrisë së financave që të mos marrë veprime kinse mbi bazën e një ’’ekspertize ekonomike të zbuluar’’ mbi bazë të dëmtimit të mirëqenies ekonomike të kategorisë kryesore që bartin barrën kryesore të institucioneve shtetërore”, ka thënë Zymberi.

Po ashtu ai bën thirrje Qeverisë dhe institucioneve tjera që të mos vënë në agjenda qeveritare vendime që nuk kanë bazë kushtetuese dhe ligjore që mund të rezultojnë me ulje të pagave të shërbyesve civilë, nga se pa vullnetin tonë situata do të eskalojë dhe me zemërimin e shërbyesve civilë, të cilët edhe ashtu janë të degraduar dhe diskriminuar, thotë Mursel Zymberi, kryetar i Shërbimit Civil të Kosovës./mediafokus.info