Stublla në karantinë, flet prifti i kishës: “Nuk e dimë a jemi të infektuar”

Ai ka thënë për Plus Tv, se janë anuluar të gjitha aktivitetet në fshat, edhe ato fetare dhe gjendja është nën kontrol.

Prifti ka thënë se banorët janë izoluar.

Sipas tij, një pjesë e familjes së 77-vjeçarit, i cili dje u konfirmua i infektuar me koronavirus, po presin rezultatet e testeve.

Ai tha se gjendja e atyre që kanë pasur kontakt me të infektuarin, është e mirë dhe se deri tani asnjëri prej tyre nuk ka shfaqur simptoma të koronavirusit (biseda me priftin është bërë para konfirmimit të rastit të dytë).

“Burri infektuar ka ardhë me bashkëshorten nga Italia, është koha kur vijnë për pushime. Familjarët e të infektuarit po presin testet.”

Ai tha se infektuari ka marrë pjesë në aktivitete në fshat, në rrethin familjar e në kishë dhe nuk e di nëse ka të infektuar tjerë.

“Po presim që sot nga Ipeshkëvia të marrim konfirmimin për ndalimin e aktiviteteve fetare për këto kohë sa jemi në karantinë”.

Don Thaçi tha se gjatë ditës pritet të bëhet dezinfektimi i kishës, ambulancës dhe hapësirave tjera publike në fshat.