Studentët e Mjekësisë i japin fund bojkotit, nesër rikthehen në ligjërata dhe praktika klinike
Këshilli Studentor i Fakultetit të Mjekësisë ka njoftuar se studentët do t’i rikthehen procesit mësimor nga dita e nesërme, pas sqarimeve të pranuara nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës lidhur me kërkesat e tyre.
Përmes një deklarate publike, Këshilli ka bërë të ditur se rikthimi në ligjërata dhe praktika klinike do të bëhet pa përdorimin e sistemit elektronik të evidentimit përmes skanimit të QR Code, por përmes metodave alternative, përkatësisht listave fizike të vijueshmërisë.
Sipas KSFM-së, Rektorati ka lejuar përdorimin e këtyre metodave deri në krijimin dhe implementimin e një sistemi të përshtatshëm për specifikat dhe nevojat e Fakultetit të Mjekësisë.
Në deklaratë thuhet se sqarimet e Rektoratit kanë të bëjnë edhe me komunikimet e mëhershme të institucionit, për të cilat rektori ka deklaruar se nuk kanë pasur për qëllim të përbëjnë kërcënim apo cenim të të drejtave të studentëve.
Ndërkohë, Këshilli Studentor ka bërë të ditur se do të kërkojë njoftim zyrtar për lejimin e vlerësimeve të lëndëve të semestrit paraprak për drejtimet Infermieri dhe Fizioterapi, si dhe publikimin e datave të provimeve.
KSFM ka ritheksuar se asnjë studenti nuk duhet t’i mohohet e drejta për t’iu nënshtruar provimeve për shkak të vijueshmërisë dhe tri mungesave.
Këshilli u ka bërë thirrje profesorëve dhe asistentëve që të respektojnë mënyrat alternative të evidentimit, ndërsa ka paralajmëruar se do të vazhdojë bashkëpunimin me Rektoratin për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë.
Po ashtu, në deklaratë është sqaruar se asnjë pagë nuk është ndaluar dhe nuk do të ndalohet në lidhje me çështjen e evidentimit të vijueshmërisë së studentëve.

