Studentja me lot në sy akuzon profesorin Krasniqi: “Më kë thënë ka me të bë masazh”

Xhevat Krasniqi ka dëshmuar sot para Këshillit të Etikës së Universitetit të Prishtinës.

Profesori i matematikës në Fakultetin e Edukimit i ka hedhur kategorikisht poshtë akuzat për ngacmim seksual të mbi 25 studenteve.

Krasniqi ka thënë se studentet e kanë bërë denoncimin për shkak të dështimit për të kaluar provimin.

Ai ka thënë se “të gjitha shprehjet në ankesë janë shpifje”.

Pas përfundimit të seancës dëgjimore, në objektin e Administratës Qendrore të Universitetit të Prishtinës, protestuesit nga Lëvizja Feministe Studentore dhe organizata jo-qeveritare ORCA, e kanë ‘bllokuar’ Krasniqin.

Një studente denoncuese e profesorit, ka shpërthyer në lot gjatë protestës e gjendur ballë për ballë me Krasniqin.

“Më ke thanë ka me të bë masazh, më ke thanë. Jam tutë para një viti, tash nuk tutna”, ka thënë studentja mes lotësh. “Mos u kap për fjalësh, edhe pranoje, pranoje kush je. Pranoje që je largu prej universiteteve të tjera për shkak të ngacmimit seksual, pranoje kush je!”.