Stuhia “Gail” në SHBA, qindra aksidente dhe disa viktima
Stuhia “Gail” solli reshje të dendura dëbore në disa shtete në verilindje të Amerikës duke shkaktuar vështirësi të mëdha për banorët, por edhe viktima.
Të paktën 6 persona janë raportuar të vdekur si pasojë e aksidenteve masive rrugore në Pensilvani, si dhe në Karolinën e Veriut.
Dëbora, që ka shkuar deri në 60 centimetra, ka lënë më shumë se 70 mijë shtëpi dhe biznese pa energji elektrike në Virxhinia dhe në Nju-Xhersi. Më shumë se 1300 fluturime avionësh janë anuluar.
Në një postim në rrjetet sociale, kryebashkiaku i Nju-Jorkut, Bill de Blasio u kërkoi qytetarëve ta merrnin seriozisht situatën, raporton A2CNN.
Stuhia ka ndikuar edhe te pandemia, duke detyruar shumë qytete të mëdha që të ndalonin përkohësisht testimet për Covid-19, ndërsa transportuesit e vaksinës kanë thënë se stuhia nuk do të ndalë punën e tyre dhe shpërndarja do të vijojë edhe pse disa spitale po parashikojnë vonesa të dërgesave.




