“Supermeni” i VV-së/ Driton Vela me dy karrige në shtet, nën hetim nga Antikorrupsioni
Ish-kandidati për deputet i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Driton Vela, në prillin e këtij viti u zgjodh nga Kuvendi i Kosovës anëtar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare për Akreditim me mandat 4-vjeçar.
Ndonëse subjekti me të cilin kishte garuar në zgjedhje kishte shumicën e votave në Kuvend, disa nga deputetët e VV-së kundërshtuan zgjedhjen e Velës, pikërisht për shkak të kaluarës së tij politike.
Për Velën votuan 57 deputetë, përderisa katër të tjerë abstenuan.
Miratimit të propozimit të Qeverisë për zgjedhjen e Velës në këtë pozitë i parapriu një debat i fortë mes pozitës dhe opozitës në lidhje me të kaluarën politike të kandidatit. Kundër ishte edhe ish-deputeti i “Guxo”, Haxhi Avdyli.
Dy pozitat e Driton Velës, anëtar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe kryesues i Bordit për Shkollim Specialistik
As dy muaj pas marrjes së pozitës së anëtarit në Këshillin Shtetëror të Cilësisë, militanti i VV-së “kapi” edhe pozitën kryesore në Bordin Shtetëror për Shkollim Specialistik, duke u emëruar kryesues i këtij institucioni me vendim të ministrit të Shëndetësisë nga radhët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Arben Vitia.
Sipas vendimit të ministrit Vitia, Bordi për Shkollim Specialistik kompensohet financiarisht sipas Ligjit për Paga në sektorin Publik dhe akteve nënligjore që derivojnë nga ky ligj.
Sipas Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, zyrtari i lartë nuk mund të jetë anëtar i më shumë se një organi drejtues të ndërmarrjes në pronësi publike, shoqërisë aksionare me pronë publike si dhe organeve të institucioneve të tjera publike, përveç nëse parashihet ndryshe shprehimisht me ligj.
Poashtu, sipas Ligjit, zyrtari i lartë, në cilësinë e anëtarit të organeve të përmendura në këtë paragraf, nuk ka të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me të.


Vela: Nëse ka konflikt interesi, do ta respektoj në tërësi
Ish-kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Vela, është pyetur nga FrontOnline lidhur me mbajtjen e dy pozitave publike njëkohësisht, por ka thënë se nuk dëshiron të përfshihet në atë që ai e ka quajtur “skenarë potencialë”.
“Jo, nuk kam nevojë të përgjigjem në skenarët e askujt. Nëse dëshironi të jeni korrekt, përgjigjem në çdo pyetje, përndryshe nuk mundeni të më bëni pjesë të skenarëve potencialë”, ka deklaruar Vela.
Ai ka thënë se nëse konstatohet ekzistenca e konfliktit të interesit, do ta respektojë atë pa kundërshtime.
“Nëse ekziston konflikti i interesit, do ta respektoj në tërësi. Nuk e kam fare problem të mos jemi madje në asnjërën prej pozitave”, është shprehur Vela.
Sipas tij, nuk ka asnjë shqetësim për një vendim të mundshëm që do të kërkonte largimin nga ndonjëra prej pozitave.
“Nuk kam fare kësi lloj komplekse, gjithmonë i nënshtrohem ligjit, interesit, pa asnjë dilemë”, ka thënë Vela.
APK merret me rastin e dy pozitave të Driton Velës: Do ta vlerësojmë nëse ekzistojnë elemente të konfliktit të interesit
Zyrtarë nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) në një prononcim për “Front Online” kanë thënë se lidhur me ushtrimin e dy pozitave nga Driton Vela do të nisin procedurat për shqyrtimin e rastit.
APK thotë se do të veprojë në përputhje me kompetencat e saj ligjore.
“Agjencia Për Parandalimin e Korrupsionit (APK), pasi i ka pranuar pyetjet që keni adresuar, ju njofton se, në përputhje me kompetencat e saj dhe procedurat e përcaktuara me Ligjin Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për shqyrtimin dhe vlerësimin e rrethanave të rastit konkret, me qëllim të vlerësimit dhe konstatimit nëse ekzistojnë elemente që paraqesin rrethana të papajtueshmërisë apo konfliktit të interesit në ushtrim të funksionit publik”, thuhet në përgjigjen e APK-së.
Agjencia ka bërë të ditur se për shkak të dispozitave ligjore nuk mund të japë detaje për hapat që do të ndërmerren gjatë hetimit administrativ.
“Në pajtim me nenin 22, paragrafi 6, të Ligjit Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, procedura e zhvilluar nga Agjencia lidhur me trajtimin e rasteve të konfliktit të interesit është konfidenciale”, thuhet në përgjigje.
APK shton se nuk do të ofrojë informacione për veprimet procedurale gjatë zhvillimit të rastit.
“Gjatë zhvillimit të procedurës Agjencia nuk mund të ofrojë informacione lidhur me veprimet procedurale të ndërmarra, ndërsa rezultatet përfundimtare të procedurës i bën publike në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi”, përfundon përgjigjja e Agjencisë.
Juristë kanë ngritur shqetësime lidhur me mbajtjen e dy pozitave publike nga Driton Vela, duke vlerësuar se një situatë e tillë mund të përbëjë konflikt interesi dhe se për këtë çështje duhet të zhvillohen verifikime dhe hetime nga institucionet përgjegjëse.
Avokati Xhevdet Smakiqi: Rasti i Velës përbën konflikt interesi, duhet të hetohet
Avokati Xhevdet Smakiqi vlerëson për “Front Online” se rasti i Driton Velës paraqet konflikt interesi, duke u bazuar në dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.
Sipas Smakiqit, neni 6 i ligjit e përcakton konfliktin e interesit si institut juridik që ekziston jo vetëm në fakt, por edhe në dukje.
“Konflikti i interesit është i rregulluar me ligj të veçantë. Neni 6 e përcakton konfliktin e interesit si institut ligjor që nënkupton konfliktin edhe në fakt, edhe në dukje. Kjo çështja e Velës është konflikt interesi për shkak të vendimmarrjes në dy institucione të ekzekutivit”, deklaroi Smakiqi.
Ai shtoi se sipas standardeve ligjore dhe etike, Vela do të duhej të hiqte dorë nga njëra prej pozitave.
“Do të ishte etike që i njëjti të tërhiqet nga njëra pozitë ose ta kishte vetëdeklaruar, pasi ka pasur detyrim ta njoftojë APK-në se ndodhet në konflikt interesi. Përndryshe, duhet të zhvillohen hetimet”, u shpreh Smakiqi.
Përndryshe, Front Online në muajin prill të këtij viti pati raportuar për procesin e përzgjedhjes së Velës në KSHC-së, duke u favorizuar një kandidat i afërt me Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa një doktoreshë nga Universiteti i Zagrebit është lënë jashtë garës.
Bëhet fjalë për doktoreshën Jeta Kelmendi, e cila ka përfunduar doktoratën në Universitetin e Zagrebit, ka qenë profesoreshë në Universitin e Rijekës, ka 23 publikime në Scopus dhe Ëeb of Science, indeks H = 18 dhe mban titullin profesoreshë e asociiuar. Megjithatë, kjo nuk ë kishte favorizuar Kelmendin në raport me Velën.
/FrontOnline/

