Supremja refuzon pretendimin e mbrojtjes se Liridon Uruqi vrau shokun e tij nga pakujdesia

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar pretendimin e mbrojtjes se Liridon Uruqi e kishte  vrarë nga pakujdesia shokun e tij, Fatlind Arifi.

Uruqi akuzohej se në korrik të vitit 2018, në fshatin Bresalc të Gjilanit, pasi kishte nxjerrë armën e tipit “TT”, të njëjtën e kishte repetuar dhe derisa ishte duke e kontrolluar nëse kishte ndonjë plumb në tytë, e kishte prek këmbëzën e cila shkrep predhën më të cilën goditet për vdekje, i ndjeri Arifi, raporton Betimi për Drejtësi.

Për këtë akuzë, Gjykata Themelore në Gjilan, më 4 dhjetor 2019 të akuzuarin Uruqi e kishte dënuar me 18 vjet e 6 muaj burgim pasi e kishte shpallur fajtor për vrasje dhe për armëmbajtje pa leje.

Sipas Themelores, në këtë rast Uruqi kishte vepruar me dashje eventuale, ndërsa mbrojtja mbronte teorinë se deri tek vrasja kishte ardhur si rezultat i pakujdesisë.

Këtë aktgjykim të Gjykatës në Gjilan e kishte vërtetuar pastaj edhe Gjykata e Apelit.

Mirëpo, mbrojtja pretendonte se të dy këto aktgjykime ishin marrë me shkelje të dispozitave procedurale dhe të ligjit penal. Për këtë arsye, me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, i ishte drejtuar Gjykatës Supreme.

Sipas mbrojtjes, gjykata nuk i kishte vlerësuar deklaratat e prindërve të të ndjerit dhe dëshmitarëve tjerë, se i ndjeri dhe i dënuari nuk kishin pasur asnjëherë probleme mes tyre.

Përkundër këtyre pretendimeve të mbrojtjes, Gjykata Supreme ka vendosur se gjykata e shkallës së parë dhe ajo e Apelit, drejt kanë konstatuar se i dënuari kishte kryer vrasjen nga dashja eventuale, pasi i njëjti kishte qenë i vetëdijshëm se si rezultat i veprimit të tij, mund të shkaktohet pasoja, të cilën e ka pranuar të shkaktohet.

Sa i përket faktit se i ndjeri dhe viktima kishin pasur raporte të mira, Supremja ka arsyetuar se raportet e mira nuk kanë ndonjë relevancë në kualifikimin e veprës penale të vrasjes, por vetëm në vlerësimin e rrethanave të vendimit mbi dënim.