SurdulIi: Fehmi Kastrati ka qenë njeri i fjalës

Fehmi Kastrati është emër i njohur për të gjithë ne që jemi këtu por edhe për më shumë të tjerë që për shkaqe të ndryshme nuk kanë mund me marrë pjesë në këtë mbledhje komemorative dhe në varrim.

Fehmi Kastrati është emër dhe personalitet i njohur jo vetëm në këtë rrethinë, por edhe në mbarë Kosovën e Kosovën Lindore si edhe Shqipërinë, sidomos qarkun e Lezhës.

Fehmi Kastrati përveç që ishte profesor i kimisë në gjimnazin “Ismail Qemali” në Kamenicë dhe drejtor në shkollën e mesme teknike “Andrea Dursaku” në Kamenicë e së fundmi në shkollën fillore “Avni Rrustemi” në Karaçevë të Epërme, ishte edhe drejtor i Shëndetësisë dhe çështjeve sociale në Kamenicë gjatë mandatit 2009-2013.

Prej themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në vitin 1990 ai zhvilloi aktivitet dhe veprimtari në këtë subjekt politik.

Ishte disa mandate kryetar i nëndegës së LDK-së në Karaçevë të Epërme, ishte anëtarë i Kryesisë së degës së LDK-së, delegat i Kuvendit Komunal në Kamenicë gjatë viteve 2000-2002 të mandatit të pare të zgjedhjeve komunale të lira dhe demokratike në Kosovë.

Fehmi Kastrati ka zhvilluar aktivitet të madh në arsim, kulturë e sport. Ka grumbulluar ndihma për UÇK e për skamnorë jo vetëm për nevojtarët në fshat por edhe për popullatën e zhvendosur nga dhuna e kriminelëve serbë gjatë vitit 1999 sidomos në Drenicë.

Gjatë kohës së luftës në vitin 1999 dhe kohës së bombardimeve të NATO-s ndaj ushtrisë serbe në njërën anë, kurse në anën tjetër krimeve serbe në Kosovë, Fehmiu kishte mbajtur një ditar dhe pas lufës e botoi në formë të një vepre me emrin “Tmerri dhe Shpresa”.

Fehmi Kastrati ka dhënë një kontribut të çmuar edhe në afirmimin e Karaçevës dhe bukurive natyrore të fshatit tone si brez kufitar i Kosovës.

Ai e kundërshtoi në mënyrë kategorike mbylljen e shkollave shqipe në komunën tone gjatë mandatit të kaluar.

Me Fehmi Kastratin edhe unë personalisht kam punuar së bashku në shumë nga veprimtaritë e theksuara më sipër. Ka qenë njeri i fjalës dhe besnik i madh.

Ishte njeri shumë i mire, i sjellshëm e komunikativ me të gjithë. Shpesh komunikimin e bënte edhe me humor burimor.

Fehmi Kastrati do t`i mungojë shumë jo vetëm familjes, por do të vërehet në masë të madhe mungesa e tij kudo si në aktivitet politik, po ashtu edhe në atë shoqëror.

Na vjen shumë keq për vdekjen e hershme të tij. /Shaip Surdulli