Suspendohen dy policët që e inçizuan 18-vjeçarin teksa kolegu i tyre e keqtrajtonte

Inspektorati Policor ka bërë të ditur se pas arrestimit të policit Harris Kelmendi, janë suspenduar edhe dy kolegët e tij të cilët e incizuan dhe e tallën të riun Leotrim Rama teksa kolegu i tyre e rrihte.

Siç njofton IPK, pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente, hetuesit policorë fillimisht kanë arrestuar sot policin Harrin Kelmendi, me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “pengim i të provuarit”, dhe të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Po ashtu, në kuadër të këtij hetimi, IPK ka rekomanduar suspendimin edhe të dy punonjësve policorë (një rreshteri policor që në kohën e incidentit të vitit 2018 ishte mbikëqyrës i të dyshuarit dhe një zyrtar tjetër policor që dyshohet se ishte pjesëmarrës në keqtrajtim).

“Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë i IPK-së:

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve kanë vazhduar të ndërmarrin veprime hetimore lidhur me informacionin (vide-incizim i një ngjarje të vitit 2018) në bazë të të cilit dyshohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga një zyrtar policor në Prishtinë (shih komunikatën e datës 28.01.2021 si më poshtë).

Lidhur me këtë rast IPK kishte arrestuar një zyrtar policor më 28 .01 2021 me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”kurse i njëjti rast nga prokuroria është vendosur që të vazhdohet në procedurë të rregullt.

Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot këtë zyrtar policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “pengim i të provuarit”dhe të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Në kuadër të këtij hetimi, Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin edhe të dy punonjësve policorë (një rreshteri policor që në kohën e incidentit të vitit 2018 ishte mbikëqyrës i të dyshuarit dhe një zyrtar tjetër policor që dyshohet se ishte pjesëmarrës në keqtrajtim).

Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.