Taravari: Shqiptarët do marrin gjashtë ministri dhe kryeparlamentarin

Arben Taravari nga Koalicioni VLEN ka bërë të ditur se nga bashkëpunimi me VMRO-DPMNE, që janë fitues të zgjedhjeve, shqiptarët do të udhëheqin me gjashtë ministri dhe Kuvendin.

“Besoj që njërën prej tre funksioneve kryesore të shtetit, respektivisht kryetari i parlamentit do të vazhdojë të jetë shqiptar dhe numër i konsiderueshëm i ministrave, posaçërisht aty ku kemi ekspertë ne si parti të VLEN-it do t’i vendosim. Besoj se përfaqësimi aty do jetë i dinjitoz, me njerëz profesionist”, tha ai për RTK.

Taravari tha se konstituimi i Kuvendit do të bëhet në fund të këtij muaji, kurse Qeveria e re pritet të votohet në pjesën e parë të muajt qershor.

Partnerët e koalicionit, sipas Taravarit, janë pajtuar që prioritet i Qeverisë së re të jetë rruga drejt Bashkimit Evropian, lufta pa kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit dhe funksionimi i shtetit të së drejtës./RTK