Teatri i Gjilanit nuk ndalet, paralajmëron premierën e radhës

Tashmë kanë filluar provat e para të tavolinës me regjisorin Agon Myftari, i cili ka mbledhur ekipin e aktorëve të Teatrit të Gjilanit për të sjellur premiren e shfaqjes më të re “Budallenjtë” nga Neil Simon.

Drejtori i Teatrit të Gjilanit, deklaroi për Mediafokus.info se ky vit pritet të jetë një prej viteve më të mira të këtij institucioni kulturor.

“Po presim miratimin e buxhetit nga ana e Qeverisë dhe menjëherë do të vazhdojmë me shpalljen e konkurseve për rekrutim të stafit artistik dhe teknik. Gjithashtu, nënkodet buxhetore dhe buxheti i planifikuar nga Komuna e Gjilanit për Teatrin e Gjilanit do të zgjidhin njëherë e përgjithmonë problemet buxhetore me të cilat jemi ballafaquar tash e 20 vite pas luftës”, ka thënë Zymberi për Mediafokus.info.

Teatri i Gjilanit, tashmë që nga maji i vitit 2018, përveç kalendarit të rregullt mujor të shfaqjeve ose krijimit të repertorit, themelimit dhe funkisionimit të jashtëzakonshëm të Teatrit Magjik të Fëmijëve, ka arritur që vazhdimisht të sjellë edhe shfaqje e premiera të reja, të cilat kanë rritur produktivitetin artistik duke ngritur edhe cilësinë e shfaqjeve, por edhe duke rritur në një shkallë të madhe numrin e vizitorëve në këtë institucion.

“Publiku është fantastik kohëve të fundit. Numri, përkrahja dhe dashuria e tyre për Teatrin e Gjilanit po rritet vazhdimisht. Aktualisht, mund të themi që jemi teatri me numrin më të madh të publikut në Kosovë”, thotë Zymberi.

Ai tha se padyshim që tregon për një kulturë të lartë që kanë qytetarët e Gjilanit karshi teatrit dhe jo vetëm.

“Po e preku hundën për këtë”, vazhdon me shaka drejtori Erson Zymberi, derisa flet me dashuri të madhe për sukseset e Teatrit të Gjilanit duke paralajmëruar edhe premierën e radhës.

“Provat kanë filluar me një intensitet e përkushtim maksimal, po presim që premiera e shfaqjes “Budallenjtë” nga Neil Simon, me regjisor Agon Myftarin, do jetë me datën 20 prill. Jam i sigurt që kjo shfaqje do të jetë një prej komedive më të mira që kemi parë kohëve të fundit në teatrot tona”, deklaroi për fund drejtori i Teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri kishte shpallur drejtorin e Teatrit të Gjilanit, Erson Zymberin, si drejtorin më të mirë në komunën e Gjilanit për vitin 2019./Mediafokus.info/