Tensioni i lartë – “vrasësi i heshtur” që rrezikon zemrën dhe jetën

Sabedin Sherifi

Në kohën moderne, tensioni i lartë arterial po bëhet një nga problemet më të shpeshta shëndetësore tek qytetarët.

Mjekët paralajmërojnë se hipertensioni shpesh zhvillohet pa simptoma të dukshme, por me kalimin e kohës mund të shkaktojë pasoja serioze për zemrën, trurin, veshkat dhe enët e gjakut.

Tensioni arterial paraqet forcën me të cilën gjaku shtyp muret e arterieve gjatë qarkullimit në organizëm. Matja e tij kryhet me aparat për tension dhe stetoskop.

Gjatë procedurës dëgjohen tingujt në arterie, ndërsa vlerësohen dy parametra kryesorë: tensioni sistolik dhe ai diastolik.

Specialistët theksojnë se matja e rregullt e tensionit është mënyra më e mirë për zbulimin e hershëm të hipertensionit.

Vlerat normale zakonisht konsiderohen rreth 120/80 mmHg, ndërsa rritja e vazhdueshme mbi këto vlera kërkon kontroll dhe trajtim mjekësor.

Sipas mjekëve, tensioni i lartë mund të shkaktojë:

  • Infarkt të zemrës
  • Goditje në tru
  • Dëmtim të veshkave
  • Probleme me shikimin
  • Dëmtim të arterieve.

Shumë pacientë ankohen për dhimbje koke, marramendje, lodhje apo rrahje të shpejta të zemrës, megjithëse në shumë raste hipertensioni mbetet pa shenja paralajmëruese.

Ekspertët këshillojnë qytetarët të bëjnë kontrolle të rregullta, të reduktojnë përdorimin e kripës, të ushqehen shëndetshëm, të merren me aktivitet fizik dhe të shmangin duhanin e alkoolin.

“Më mirë ta parandalosh sesa ta kurosh” – mbetet mesazhi kryesor i profesionistëve shëndetësorë, duke kujtuar se një matje e thjeshtë e tensionit mund të shpëtojë jetë.

Këshilla për parandalimin dhe kontrollin e tensionit të lartë:

  • Mateni tensionin arterial rregullisht, sidomos pas moshës 40-vjeçare ose nëse ka raste familjare me hipertension
  • Uleni përdorimin e kripës në ushqim, sepse kripa rrit presionin e gjakut
  • Ushqehuni shëndetshëm me më shumë pemë, perime, peshk dhe ushqime të pasura me fibra
  • Mbani peshën trupore nën kontroll, pasi mbipesha e rrit rrezikun për hipertension
  • Kryeni aktivitet fizik të paktën 30 minuta në ditë, si ecja, biçikleta apo noti
  • Shmangni duhanin dhe kufizoni konsumimin e alkoolit
  • Kontrolloni stresin përmes pushimit, gjumit të mirë dhe aktiviteteve relaksuese
  • Merrni terapinë e përshkruar nga mjeku rregullisht dhe mos e ndërprisni pa konsultim
  • Kufizoni konsumimin e ushqimeve të yndyrshme dhe produkteve të përpunuara.
  • Në rast të simptomave si dhimbje koke, marramendje, lodhje apo rrahje të shpejta të zemrës, kërkoni kontroll mjekësor.
  • Kujdesi i vazhdueshëm për tensionin arterial ndihmon në mbrojtjen e zemrës, trurit dhe gjithë organizmit.