Testohet ulja e aeroplanëve në Aeroportin e Kukësit

Derisa punimet në aeroportin e Kukësit po vazhdojnë, sot është testuar edhe ulja e parë e aeroplanëve, e cila u krye me sukses. Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku e pa nga afër këtë test.

Ajo tha se po punohet paralelisht me disa fronte për të hapur së shpejti portat e aeroportit të ri. Ndërsa u shpreh se ky aeroport do të jetë me standarde ndërkombëtare.

“Deri në ditën e dorëzimit të certifikimit të këtij aeroporti do të përmbushen të gjitha kushtet e nevojshme për një aeroport ndërkombëtar, që do të jetë aeroporti i dytë në territorin e Shqipërisë. Pas pak ditësh do të kemi edhe rezultatet nga gara e aeroportit të Vlorës dhe do ti jepet start negocimit të kontratës, duke nisur kështu edhe procedurën për aeroportin e tretë”, tha Balluku.

Ministrja u shpreh se brenda 4-vjcarit të ardhshëm do të ndërtohen edhe dy aeroporte te tjera, ne Korce dhe Sarande.

“Brenda 4-vejcarit të ardhshëm parashikojmë të nisim edhe dy aeroporte të tjera. Janë aeroporte ndërkombëtare, por më të vogla që do të akomodojnë nevojat turistike, ai i Korçës dhe i Sarandës”, u shpreh Balluku.

Përndryshe, aeroporti i Kukësit gjendet disa kilometra pranë Kosovës dhe në raste të caktuar mund të shfrytëzohet për ulje alternative të aeroplanëve kur në Kosovë ka mjegull ose edhe për udhëtime të kosovarëve të anës së Prizrenit e Gjakovës nga destinacionet e jashtme.