Tha se të moshurat i vrau për borxhin e drurëve, por doli diçka tjetër

Një borxh për dru, siç u tha fillimisht, çoi në vrasjen e dy grave të moshuara nga i dyshuari Ali Zili, i cili tanimë ndodhet në duart e policisë. Por, nga hetimet rezultoi se vrasja u bë për tjetër qëllim.

“I vrava sepse nuk më kishin shlyer lekët e druve të zjarrit. Vrasjen e kam kryer një ditë më parë. Pas ngjarjes jam larguar nga fshati dhe kam ikur në Korçë. Atë natë nuk u ktheva në shtëpi.

Sapo zbardhi dita, shkova në një dyqan rrobash dhe bleva veshje të reja për të fshehur gjurmët e krimit. Më pas rrobat e gjakosura, të paketuara në një qese, ia kam falur një endacaku”, ka thënë para hetuesve Ali Zili, raporton panorama.al

Fatmira Bami dhe Bukurie Bami, nuse dhe vjehërr, u gjetën të vrara në banesën e tyre në fshatin Progër të Devollit.

Gratë 60 dhe 80-vjeçare ishin goditur dhe dhunuar për vdekje nga bashkëfshatari i tyre 36-vjeçar, Ali Zili.

Ngjarja e rëndë u zbulua nga banorët e fshatit dy ditë pas krimit makabër në banesën e grave.

Një nga fqinjët e grave kishte shkuar te banesa e tyre për t’iu çuar disa kokrra mollë, kur ka parë në oborr një skenë të dyshimtë, një celular dhe proteza dhëmbësh, por edhe një njollë gjaku, e më tej nga dera e hapur e korridorit dukej trupi i shtrirë në tokë i 80-vjeçares.

Ajo lajmëroi një fqinj tjetër e më pas thirrën kryeplakun për të njoftuar Policinë.

Blutë e Korçës u përballën me një skenë të frikshme: dy gra të vrara barbarisht me mjete të forta dhe të goditura me grushte deri në vdekje.

Ali Zili, autori i këtij krimi, u arrestua pak orë pas zbulimit të skenës së krimit.

Motivi i vrasjes, sipas tij, kishte të bënte me një borxh të viktimave për drutë e zjarrit, por kjo hidhet poshtë nga i vëllai dhe nga Policia po ashtu.

Pas disa orësh marrjesh në pyetje, ai ka pranuar se kishte qëllim grabitjen.

Burime nga grupi hetimor thanë se ngjarja ka nisur që në oborrin e shtëpisë ku ai është përballur me 80-vjeçaren, të cilën gjatë përleshjes, e ka zhvendosur deri në korridor dhe ka përfunduar në kuzhinën e shtëpisë, ku i ka marrë jetën viktimës së dytë.

Pasi Ali Zili ka shkuar te banesa ku jetonin dy gratë, e para që ka dalë ka qenë e moshuara, me të cilën ai ka nisur konfrontimin fizik.

Gjatë përleshjes, gruas i ka shkëputur një tufë flokësh nga koka autorit, teksa ky ka vazhduar ta shtyjë drejt korridorit të shtëpisë, ku edhe i ka marrë jetën.

Ndërkohë, edhe nusja e saj fillimisht është përpjekur ta ndalojë agresorin, por më pas ka hyrë në kuzhinë dhe ka kyçur derën, ndërsa autori ka thyer xhamin e ka hyrë atje duke i marrë jetën edhe asaj.

Në trupat e viktimave, ekspertët konstatuan goditje me sende të forta (dru) dhe shenja të dhunës fizike në të gjithë trupin, vijon panorama.al

Grupi hetimor arriti të gjejë në skenën e krimit flokë të autorit, njolla të gjakut të tij dhe copa të rrobave që ai mbante veshur, elemente prove për autorësinë.

Sipas ekspertëve që panë të gjithë ngjarjen, duket se përleshja mes grave dhe autorit ka qenë e ashpër.