Thaçi nga Haga: Askush s’mund ta rishkruajë historinë, ky është çmimi për lirinë

Presidenti Hashim Thaçi ka arritur në Hagë ku pritet të intervistohet nga Prokurori Special.

Ai në një deklarim të shkurtër për media, para se të futet për intervistim, ka ripërsëritur që askush nuk mund ta rishkruajë historinë.

Thaçi, në mesin e brohoritjeve të shqiptarëve që kanë dalë ta mbështesin, ka thënë se ky është çmimi për lirinë, njofton Klan Kosova.

“Sot jam këtu për të respektuar atë për të cilën kam ëndërruar dhe luftuar – një Kosovë të pavarur bazuar në të drejta të barabarta, shoqëri multi-etnike dhe sundim të ligjit. Jam gati të përballem me sfidën e radhës dhe t’ia dalë me sukses për djalin tim, familjen, njerëzit dhe vendin tim”.

“Askush nuk mund ta rishkruajë historinë. Ky është çmimi për lirinë”.

I pari i vendit ka deklaruar se beson në dialog dhe pajtim, derisa Kosovën e ka quajtur histori suksesi.

“Besoj në paqe, të vërtetën, pajtimin dhe drejtësinë. Besoj në dialog dhe marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët”.

“Kosova është një histori suksesi dhe jam shumë krenar. Destinacioni i Kosovës është të jetë anëtar i BE-së, NATO-s dhe miqësi të përjetshme me SHBA-të”.

Derisa i pari i vendit po deklarohej për media në afërsi të tij ishin mbledhur shumë shqiptarë që po e mbështesin atë dhe janë duke protestuar kundër Gjykatës Speciale.